Shqipëria Postuar më 9 Nëntor 2025, 09:30

5 bashki në zgjedhje të pjesshme - 334.539 qytetarë u drejtohen kutive të votimit

Nga Fabjona Pasho

5 bashki në zgjedhje të pjesshme - 334.539 qytetarë u drejtohen

Rreth 334.539 qytetarë në 5 bashki të vendit kanë të drejtën ti drejtohen kutive të votimit  për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik.

Në qytetin e Vlorës, 171.895 qytetarë kanë të drejtë vote dhe do të votojnë në 232 qendra votimi, të ndara sipas zonave të banimit. Gara në këtë bashki zhvillohet mes Brunilda Mersinit, kandidate e Partisë Socialiste, dhe Dionis Sotës, kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës, si dhe Gjergji Nikës, gjithashtu kandidat i pavarur.

Në Berat, 82.161 banorë do të votojnë në 116 qendra votimi. Kryetari aktual i komanduar, Ervin Ceca, përfaqëson Partinë Socialiste, ndërsa përballë tij është kandidati i pavarur Pavlo Shkarpa.

Në Tepelenë, 12.667 zgjedhës do të votojnë në 22 qendra votimi. Gara zhvillohet mes Gramoz Sakos, kandidatit të mazhorancës socialiste, dhe Gabriel Gumës, kandidat i pavarur me mbështetjen e demokratëve.

Në Bashkinë e Matit, 29.092 qytetarë do të votojnë në 47 qendra votimi. Kjo bashki ka një nga garat më të veçanta, me tre kandidatë në fushë. Kandidati i Partisë Socialiste është Altin Bojni, ndërsa ish-kryetarja e forumit të grave socialiste lokale, Suzana Pasha, ka vendosur të kandidojë si e pavarur, duke sfiduar propozimin zyrtar të PS-së. Nga ana tjetër, opozita dhe Partia Demokratike mbështesin kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.

Në Cërrik, sipas të dhënave të KQZ-së, janë 38.724 qytetarë me të drejtë vote, të cilët do të votojnë në 57 qendra votimi. Edhe këtu gara përfshin tre kandidatë: Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur me mbështetjen e PD-së, dhe Eligert Hima, që garon nën siglën e partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë kësaj së diele dhe procesit të numërimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat