Shqipëria Postuar më 9 Korrik 2025, 12:40

10 milionë euro nga zënia e hapësirave publike - Shifër rekord në 2024-ën, rriten edhe të ardhurat nga tarifat e pastrimit

Nga Elisabeta Dosku

10 milionë euro nga zënia e hapësirave publike - Shifër

Ditët e fundit qeveria ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike nga bizneset, fokusuar kryesisht në bashkitë bregdetare, por edhe gjerë.

Por si janë të ardhurat që bashkitë në vend mbledhin nga tarifat vendore për zënien e hapësirave publike?

Të dhënat zyrtare nga raporti i financave vendore për vitin 2024 të analizuara nga SCAN TV tregojnë se niveli i të ardhurave nga tarifa vendore për zënien e hapësirave publike është rritur ndjeshëm nga viti në vit, gjë që nuk ka ardhur vetëm nga niveli i tarifës, por edhe nga rritja e sipërfaqeve të zëna të këtyre hapësirave nga ana e bizneseve.  Konkretisht nga 5.7 milionë euro të mbledhura në vitin 2020, ka pasur një rritje progresive nga viti në vit duke u regjistruar në 10 milionë euro, apo thuajse dyfish në vitin 2024.

Ndërkohë rritja në raport me 2023-in, është në masën  8.8 %. Në të ardhurat totale që arkëtojnë bashkitë, kjo taksë zë rreth 2,3% të totalit.

Tarifa për zënien e hapësirës publike paguhet për përdorimin e hapësirave publike për qëllime biznesi, çadra, tenda, tavolina, vendosje gjeneratori dhe llogaritet si detyrim mujor ose vjetor sipas kategorive. Kjo tarifë aplikohet në bazë të sipërfaqes për m2,  kohëzgjatjes, llojit të aktivitetit, bashkisë si dhe zonës së qytetit.  Çdo bashki ka vendimet e saj lidhur me nivelin e tarifës që aplikon.

Në Bashkinë Tiranë, tarifat e zënieve e hapësirave apo trotuareve për qëllim tregtare variojnë nga 100-800 lekë/m2/ditë.

Në Bashkitë Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë aplikohet një mesatare prej 100-400 lekësh/m2/ditë.

Nga ana tjetër edhe pse ka ankesa të shumta për menaxhimin e mbetjeve, të ardhurat që kanë mbledhur bashkitë nga tarifat e pastrimit dhe të higjienës, regjistrohen në 59 milionë euro në 2024, shifër kjo rekord e 5 viteve të fundit.

Në strukturën totale të të ardhurave, ky zë ka një peshë prej 13.3 për qind, ndërkohë që në raport me një vit më parë ka pësuar rritje me 24.3 %.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat