Rajoni Postuar më 9 Janar 2026, 11:57

Serbia preferon kreditë kineze - Merren më shpejt dhe me më pak kushte politike, por mungon transparenca

Nga Dorian Koça

Serbia preferon kreditë kineze - Merren më shpejt dhe me më pak

Rreth 11 për qind e borxhit të jashtëm të Serbisë përbëhet nga detyrime ndaj Bankës Shtetërore Kineze Export-Import (EXIM), sipas raportit të fundit të tetorit të Drejtorisë për Borxhin Publik, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Serbisë. Vendi aktualisht shlyen më shumë se 10 kredi kineze, të marra kryesisht për projekte infrastrukturore, me një vlerë totale prej rreth 2.8 miliardë euro.

Megjithatë, borxhi real ndaj Kinës është edhe më i madh, pasi Serbia ka marrë kredi edhe nga Bank of China, veçanërisht për projekte të infrastrukturës komunale dhe kanalizimeve.

Sipas të dhënave zyrtare, Serbia është më e ekspozuar ndaj kredive të EXIM Bank, sesa ndaj disa institucioneve financiare evropiane, përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve. Kreditë kineze merren më shpejt dhe me më pak kushte politike, por mungon transparenca dhe procedurat e tenderimit publik.

Angazhimi i kompanive kineze në projektet infrastrukturore në Serbi shpesh është shoqëruar me akuza për shmangie të tenderëve publikë. Autoritetet serbe bazohen në marrëveshjen e vitit 2009 me Kinën për bashkëpunim ekonomik dhe teknik, e cila lejon kontraktime direkte.

Çështja e transparencës u bë edhe më e ndjeshme pas tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku në nëntor 2024 humbën jetën 16 persona. Projekti ishte realizuar nga një konsorcium kinez, pa tender publik, dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria për Krim të Organizuar. Serbia do ta shlyejë kredinë për këtë projekt deri në vitin 2039, ndërsa borxhi aktual arrin 763 milionë euro.

Autoritetet serbe i preferojnë kreditë kineze sepse nuk shoqërohen me kushte politike, ndryshe nga kreditë evropiane që kërkojnë standarde për zgjedhje, të drejta të njeriut dhe liri mediatike.

Megjithëse kreditë kineze janë mesatarisht 0.5 deri në 1.2 për qind më të shtrenjta, ato shihen si mënyrë e shpejtë për realizimin e projekteve infrastrukturore para zgjedhjeve. Kina e sheh Serbinë si pjesë të nismës strategjike “Rripi dhe Rruga”, me synim lidhjen e portit të Pireut në Greqi me Evropën Qendrore përmes hekurudhave dhe autostradave.

Përveç kredive, Kina është e pranishme në Serbi edhe përmes investimeve të mëdha në miniera, metalurgji dhe energjetikë, shpesh të shoqëruara me kritika për ndotje mjedisore dhe mungesë llogaridhënieje.

Ekspertët paralajmërojnë se bashkëpunimi Serbi–Kinë përmban shumë “zona të errëta”, sidomos për shkak të kontratave sekrete, mungesës së tenderëve dhe dyshimeve për korrupsion.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat