Europa Postuar më 6 Gusht 2025, 10:22

Zvicra, e “diskriminuara” e Evropës - Eksportet vendase, në rrezik nga tarifat e larta të Trump

Nga Kristi Ceta

Zvicra, e “diskriminuara” e Evropës - Eksportet vendase,

Zvicra po përgatit një “ofertë më tërheqëse” në negociatat tregtare me SHBA-në për të shmangur tarifën prej 39% mbi eksportet e saj. Pas një mbledhjeje emergjente, Këshilli Federal konfirmoi vendosmërinë për të vazhduar bisedimet me Uashingtonin, edhe pas afatit të 7 gushtit që ka vendosur presidenti Trump.

Vendimi i papritur amerikan ka alarmuar industrinë zvicerane. Organizatat tregtare paralajmërojnë se humbjet mund të prekin mijëra vende pune, pasi rreth 60% e eksporteve drejt SHBA-së, duke përfshirë ilaçe, orë, makineri dhe çokollata, rrezikojnë të mbulohen nga tarifa të larta.

Sipas ekonomistëve, një tarifë 39% mund të ulë PBB-në zvicerane me 0.3%–0.6%, ndërsa përfshirja e sektorit farmaceutik mund ta rrisë tkurrjen mbi 0.7%. Ndikimet afatgjata mund ta reduktonin Prodhimin e Brendshëm Bruto më shumë se 1%.

Uashingtoni e justifikon vendimin me argumentin që Zvicra nuk ka bërë koncesione të rëndësishme për heqjen e barrierave tregtare, duke quajtur marrëdhëniet aktuale “të njëanshme”.

Zyrtarët dhe ekonomistët zviceranë u shprehën të habitur, duke theksuar se tregtia bilaterale është katërfishuar në 20 vitet e fundit dhe Zvicra është investitori i gjashtë më i madh i huaj në SHBA. Po ashtu, ata eliminuan në mënyrë të njëanshme të gjitha taksat doganore mbi mallrat industrialë nga 1 janari 2024, duke lejuar mbi 99% të produkteve amerikane të hyjnë pa tarifa.

Trump fajëson regjimin aktual për një deficit tregtar të vlerësuar në 1.2 trilion dollarë (1.04 trilion euro). Sipas të dhënave zyrtare, Zvicra regjistroi një suficit tregtar me SHBA-në prej 41.2 miliardë eurosh vitin e kaluar.

Duke denoncuar vendimin si të padrejtë, zyrtarët zviceranë kërkojnë trajtim të barabartë me Bashkimin Evropian, me suficit prej 204 miliardë eurosh, apo vende të tjera si Japonia apo Koreja e Jugut, të cilat arritën të negocionin tarifa maksimale prej 15%.

Qeveria la të kuptohet se është e hapur për rishikim të ofertës, duke diskutuar mundësinë e blerjes së gazit natyror të lëngshën nga Shtetet e Bashkuara dhe rritjen e investimeve zvicerane në tregun amerikan.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat