Europa Postuar më 14 Tetor 2025, 10:50

Tranzicioni energjetik i Greqisë, në rrezik - Cilat janë pengesat që kërcënojnë objektivat e vitit 2030?

Nga Kristi Ceta

Tranzicioni energjetik i Greqisë, në rrezik - Cilat janë pengesat

Varësia e tepërt nga panelet fotovoltaike dhe zhvillimi i ngadaltë i teknologjive të reja apo sistemeve të ruajtjes së energjisë po rrezikojnë të ardhmen e gjelbër të Greqisë.

Vendi ka pasur rritje të shpejtë në energjinë e rinovueshme gjatë pesë viteve të fundit, me burimet e gjelbra që tejkaluan 50% të prodhimit total. Megjithatë, ky sukses ka sjellë edhe sfida të mëdha që qeveria duhet t’i trajtojë për të arritur objektivat deri në vitin 2030.

Këtë vit, kufizimet në prodhimin e energjisë janë dyfishuar në krahasim me 2024, ndërsa është rritur numri i orëve me çmime zero ose negative në tregun ditor. Kjo do të thotë se prodhuesit përballen me humbje fitimesh, duke bërë që disa investitorë të tërhiqen nga tregu grek, për shkak të përkeqësimit të kushteve.

Njëkohësisht, ekziston një radhë e madhe pritjeje për leje, me më shumë se 15 GW projekte që tashmë kanë siguruar të drejtën për t’u lidhur në rrjet. Kjo sasi është më se e mjaftueshme për të mbuluar objektivat e vendit deri në vitin 2030, madje edhe më tej.

Ruajtja e energjisë pritet të jetë zgjidhja për çështjen e kufizimeve dhe çmimeve të ulëta, por projektet e para të baterive janë shtyrë me nëntë muaj, pasi afati fillestar u vlerësua si tepër i rreptë. Zhvilluesit po luftojnë me kohën për të siguruar financim evropian përmes Fondit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, në kuadër të planit kombëtar “Greqia 2.0”.

Panelet diellore dominojnë përzierjen energjetike, ndërsa këtë vit pritet të shtohen edhe 2 GW të tjerë. Ka pasur rritje në çdo segment të tregut fotovoltaik, ndonëse investitorët e vegjël ankohen për politika të favorshme ndaj operatorëve më të mëdhenj, sidomos në rastin e komuniteteve energjetike dhe fermave diellore. Kurse instalimet e erës janë ndalur vitet e fundit, dhe programi për turbinat me erë në det të hapur nuk ka shënuar progres drejt objektivave të 2030.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat