Europa Postuar më 3 Shkurt 2026, 11:40

Spanja do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç - Kryeministri Sanchez: Do t'i mbrojmë nga “Perëndimi i Egër” digjital

Nga Dorian Koça

Spanja do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët

Spanja do të ndalojë aksesin në mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe platformat do të jenë të detyruara të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës, tha kryeministri Pedro Sanchez, ndërsa njoftoi disa masa për të garantuar një mjedis digjital të sigurt.

Qeveria e koalicionit të krahut të majtë e Sanchez është ankuar vazhdimisht për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjes pornografike dhe dezinformimit në mediat sociale, duke thënë se kjo kishte efekte negative tek të rinjtë.

"Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire në të cilën nuk ishin menduar kurrë të lundronin vetëm... Ne nuk do ta pranojmë më këtë", tha Sanchez, ndërsa iu drejtua Samitit Botëror të Qeverive në Dubai, duke u bërë thirrje vendeve të tjera evropiane të zbatojnë masa të ngjashme.

"Ne do t'i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër dixhital", shtoi ai.

Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një veprim që po ndiqet nga vende të tjera, të cilat po shqyrtojnë masa të ngjashme bazuar në moshë, si Britania dhe Franca.

Sanchez tha se qeveria e tij do të paraqesë gjithashtu një projektligj të ri javën e ardhshme për t'i konsideruar përgjegjës drejtuesit e mediave sociale për përmbajtje të paligjshme dhe me gjuhë urrejtjeje, si dhe për të kriminalizuar manipulimin algoritmik dhe amplifikimin e përmbajtjes së paligjshme.

Ai shtoi se prokurorët do të shqyrtojnë mënyra për të hetuar shkeljet e mundshme ligjore nga Grok, TikTok dhe Instagram.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat