Europa Postuar më 6 Tetor 2025, 09:03

“Rregullore më të rrepta për ‘bankat hije’ ” - Kreu i BQE-së ngre alarmin për rrezikun në sistemin financiar

Nga Kristi Ceta

“Rregullore më të rrepta për ‘bankat hije’

Evropa duhet të forcojë rregulloret e institucioneve financiare jobankare për të krijuar kushte të barabarta me huadhënësit tradicionalë dhe për të kontrolluar rreziqet në një sektor që është rritur ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, deklaroi presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

Institucionet jobankare, si fondet e investimeve, kompanitë e sigurimeve dhe fondet e pensioneve, të njohura ndryshe si “banka hije”, zotërojnë aktualisht asete me vlerë rreth 350% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Eurozonës. Megjithatë, ato gëzojnë rregulla më të lehta krahasuar me bankat, pasi nuk pranojnë depozita nga familjet.

“Është thelbësore që politikëbërësit të përshtatin rregulloret dhe mbikëqyrjen me këtë realitet të ri sfidues,” tha Lagarde gjatë një fjalimi në Amsterdam.

“Ata nuk duhet ta bëjnë këtë duke ulur standardet për bankat, por duke i rritur ato për institucionet jobankare që kryejnë veprimtari të ngjashme ose që kanë lidhje të forta me sistemin bankar. Kjo ndihmon në adresimin e shqetësimeve që kanë bankat për konkurrencën e pabarabartë,” shtoi ajo.

Politikëbërësit frikësohen se, në rast krize, bankat qendrore do të detyrohen të ofrojnë mbështetje likuiditeti për institucionet jobankare, për shkak të lidhjeve të ngushta që ato kanë me bankat tradicionale.

“Nëse rreziqet fillojnë të grumbullohen jashtë sistemit bankar, përtej fushës aktuale të rregullatorëve dhe mbikëqyrësve, kompromiset që ishin të dukshme para vitit 2008 mund të rikthehen. Në atë rast, politika monetare do të mbetej “de facto” mjeti i vetëm për të frenuar euforinë financiare,” paralajmëroi Lagarde.

Për këtë arsye, ajo tha se Evropa duhet të thjeshtojë rregulloret për bankat, pa i zbutur rregullat ekzistuese, si dhe të forcojë kontrollin ndaj institucioneve jobankare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat