Europa Postuar më 31 Gusht 2026, 12:38

Greqia ul çmimet e mbi 1,600 produkteve - Masa për të lehtësuar kostot e jetesës

Nga Edel Strazimiri

Greqia ul çmimet e mbi 1,600 produkteve - Masa për të

Mbi 1,600 produkte të konsumit në Greqi janë ofruar me çmime të reduktuara, në kuadër të një nisme të qeverisë për të lehtësuar presionin e kostos së jetesës mbi familjet.

Programi, i nisur të hënën, përfshin produkte ushqimore dhe artikuj të përditshëm, por edhe mjete shkollore, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se nisma pritet të sjellë ulje çmimesh nga 5% deri në 7% gjatë dy deri në katër muajve të ardhshëm.

“Sigurisht, kjo nuk është përgjigjja për gjithçka që aktualisht po ushtron presion mbi buxhetin familjar”, tha Mitsotakis, duke shtuar se masa përbën një lehtësim konkret, veçanërisht në periudhën kur familjet përballen edhe me shpenzimet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Deri tani, në program janë përfshirë më shumë se 90 kompani të shitjes me shumicë, 12 zinxhirë supermarketesh dhe 3 zinxhirë që tregtojnë lodra dhe artikuj shkollorë.

Produktet që përfitojnë nga ulja do të identifikohen në dyqane përmes etiketave të posaçme, në mënyrë që konsumatorët t'i dallojnë më lehtë.

Qytetarët do të kenë gjithashtu mundësi të përdorin platformën online Posokanei, ku mund të kontrollojnë produktet pjesëmarrëse, masën e zbritjes dhe pikat ku ato janë të disponueshme.

Masa vjen në një kohë kur inflacioni dhe rritja e çmimeve të ushqimeve dhe produkteve bazë, së bashku me qiratë dhe shërbimet, vijojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve grekë.

Nisma e qeverisë synon të ofrojë një lehtësim të drejtpërdrejtë për konsumatorët, ndërsa kryeministri Mitsotakis përballet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin e ardhshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat