Europa Postuar më 11 Maj 2026, 09:50

Gjermania ka konsumuar burimet natyrore për vitin 2026 - Ndër shkaktarët kryesorë, degët industriale me konsum të lartë energjie

Nga Dorian Koça

Gjermania ka konsumuar burimet natyrore për vitin 2026 - Ndër

Parë në aspektin teorik Gjermania i konsumoi të dielën burimet natyrore që duhej të mjaftonin për të gjithë vitin. Në kuadër të së ashtuquajturës "Dita e Mbingarkesës së Tokës” organizata Global Footprint Network llogarit çdo vit për vende të veçanta dhe për gjithë planetin ditë kur janë konsumuar lëndët e para natyrore të përllogarituara teorikisht për të gjithë vitin.

Nëse të gjithë njerëzit në botë do të konsumonin aq shumë lëndë të para natyrore dhe do të çlironin po aq CO2 sa banorët e Gjermanisë, kapaciteti biologjik vjetor i Tokës do të kishte shteruar që në një të tretën e parë të vitit.

Sipas OJQ-së Lidhja për Mjedisin dhe Mbrojtjen e Natyrës (BUND) Gjermania konsumon shumë më tepër burime sesa duhet, kryesisht për shkak të përdorimit të lartë të energjive fosile. Ndër shkaktarët kryesorë përmenden degët industriale me konsum të lartë energjie, sektori i ndërtimeve, trafiku rrugor dhe blegtoria masive.

Pasojat e këtij zhvillimi tashmë ndihen qartë, për shembull thatësirat, reshjet ekstreme apo rritja e temperaturave në qytete.

Energjia nga dielli dhe era, pompat termike dhe makinat elektrike të lehta, të vogla dhe ekonomike krijojnë pavarësi, siguri në planifikim dhe mbrojnë klimën.

Në vitin 2025, Dita e Mbingarkesës së Tokës për Gjermaninë ra më 3 maj. Fakti që këtë vit data është shtyrë me një javë nuk është rezultat i një stili jetese më miqësor me mjedisin, por lidhet kryesisht me përditësimin e të dhënave dhe ndryshimet në metodologjinë e llogaritjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat