Shqipëria Postuar më 9 Maj 2026, 14:56

Rregulla të reja për dhënien me qira të zonave të gjuetisë - Kontratat afat 5 vjeçar, bashkia përcakton fituesin përmes një sistemi pikëzimi

Nga Elisabeta Dosku

Rregulla të reja për dhënien me qira të zonave të

Qeveria ka përcaktuar rregulla dhe kritere të reja për dhënien me qira të zonave të gjuetisë në Shqipëri.

Projektvendimi për “përcaktimin e dokumentacionit, afateve dhe procedurës së konkurrimit për dhënien me qira të zonës së gjuetisë, mbarështimit dhe ripopullimit”, i hedhur për konsultim publik, synon të krijojë një kuadër të qartë, transparent dhe të zbatueshëm për dhënien me qira të zonave të gjuetisë, mbarështimit dhe ripopullimit, duke garantuar një menaxhim të qëndrueshëm të faunës së egër dhe përfshirjen e aktorëve lokalë.

Sipas dokumentit, ndër përparësitë kryesore të projektvendimit është vendosja e rregullave të standardizuara për konkurrimin publik, rritja e kontrollit institucional dhe formalizimi i aktivitetit të gjuetisë, duke kontribuar në mbrojtjen e biodiversitetit dhe në zhvillimin ekonomik lokal përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Projektvendimi, trajton detyrimin e njësive të vetëqeverisjes vendore që, pas shpalljes së zonave për gjueti, mbarështim ose ripopullim, të fillojnë brenda një afati të caktuar procedurën për dhënien e tyre me qira nëpërmjet një procesi konkurrimi publik.

Po ashtu, dokumenti përcakton detyrimin e kryetarit të bashkisë për ngritjen me urdhër të një komisioni, i cili ngarkohet me ndjekjen dhe administrimin e procedurave të konkurrimit publik.

Drafti, jep rregullat për publikimin e shpalljes për dhënien me qira të zonave të gjuetisë, mbarështimit ose ripopullimit, afatet e publikimit, si dhe elementet e detyrueshme që duhet të përmbajë njoftimi për zhvillimin e procedurës së konkurrimit publik nga ana tjetër parashikon detyrimin e çdo subjekti pjesëmarrës për të paraqitur dokumentacionin që vërteton përmbushjen e kritereve ligjore për marrjen në përdorim të zonave përkatëse.

Kërkesa për pjesëmarrje në konkurrim, përfshin  të dhënat e subjektit, ofertën financiare dhe dokumentacionin shoqërues, si dhe kategorinë e zonës për të cilën aplikohet.

Mënyra e vlerësimit të ofertave bëhet nga një komisioni i posaçëm përmes sistemit të pikëzimit dhe kryetari i bashkisë vendos dhe shpall fitues subjektin me pikët më të larta, për lidhjen e kontratës së qirasë pas përfundimit të procesit të vlerësimit.

Pas përfundimit të procedurave, bashkia shpall publikisht fituesin dhe lidh kontratën e qirasë me afat 5-vjeçar, jo më vonë se fillimi i sezonit të gjuetisë dhe vlera e qirasë nuk mund të jetë më e ulët se vlera fillestare e përcaktuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat