Europa Postuar më 7 Prill 2025, 15:25

Gjermanët kërkojnë rikthimin e energjisë bërthamore - Qeveria po shqyrton mundësitë, por SPD kundërshton nismën

Nga Kristi Ceta

Gjermanët kërkojnë rikthimin e energjisë bërthamore -

Një sondazh i ri i publikuar nga kompania e marketingut Innofact zbuloi se 55% e gjermanëve ishin në favor të rikthimit të energjisë bërthamore.

Çështja e energjisë bërthamore ka shqetësuar politikën gjermane për shumë kohë dhe ka qenë një pikë pengese në negociatat aktuale të koalicionit midis bllokut konservator CDU/CSU të Friedrich Merz-it dhe Social Demokratëve (SPD).

Rezultatet e sondazhit

Përveç 55% të qytetarëve që ishin pro, 36% thanë se kundërshtonin rikthimin e energjisë bërthamore dhe 9% ishin të pavendosur.

Më shumë se gjashtë në dhjetë burra favorizonin një kthim, ndërsa më pak se gjysma e grave ishin në favor të vendimit. Sondazhi reflektoi dallime gjeografike, me idenë që ishte më popullore në Gjermaninë jugore dhe lindore, sesa në veri dhe perëndim.

Një total prej 22% thanë se vetëm reaktorët e mbyllur së fundmi duhet të kthehen në përdorim dhe 32% thanë se duhet të ndërtohen reaktorë të rinj.

Sondazhi zbuloi se 57% e të anketuarve ishin në favor të vazhdimit të investimeve në forma të tjera të energjisë së rinovueshme, me vetëm 17% kundër dhe pjesa tjetër të pavendosur.

Anketuesit morën në pyetje 1007 gjermanë në mars 2025 dhe morën përgjigje nga individë të moshës 18 deri në 79 vjeç.

Çfarë mund të bëjë qeveria e re?

Për momentin, blloku CDU/CSU po shqyrton "nëse një rikthim në shërbim për reaktorët bërthamorë të çaktivizuar kohët e fundit do të ishte teknikisht dhe financiarisht i realizueshëm, duke marrë parasysh gjendjen e tyre aktuale individuale".

SPD thotë se nuk është e interesuar të rivendosë centralet bërthamore në përdorim. Të Gjelbrit, gjithashtu, u shprehën kundër një ndryshimi të politikës.

Por kjo lëkundje nuk ka munguar as në të shkuarën, me koalicionin SPD-Të Gjelbrit me në krye Gerhard Schröder-it që vendosi të hiqte dorë nga energjia bërthamore në vitin 1998, por qeveria e Angela Merkel e zgjati jetën e tyre në mënyrë të konsiderueshme në 2009.

Një kthesë e madhe u nis nga vetë Merkel, e cila, në një lëvizje të befasishme, ndryshoi politikën menjëherë pas katastrofës së reaktorit bërthamor të Fukushimës në Japoni në vitin 2011, duke përshpejtuar mbylljen e tyre.

Pasi u zgjatën përkohësisht operacionet e tyre nga qeveria e koalicionit SPD/Të Gjelbrit/FDP e Olaf Scholz, termocentralet e fundit bërthamore të Gjermanisë u hoqën nga përdorimi në fillim të vitit 2023.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat