Bota Postuar më 16 Korrik 2026, 11:11

SHBA, tarifa prej 25% për produktet braziliane - Vendimi hyn në fuqi më 22 korrik, Lula premton kundërpërgjigje

Nga Lidion Kulla

SHBA, tarifa prej 25% për produktet braziliane - Vendimi hyn në fuqi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur tarifa prej 25% për shumicën e importeve nga Brazili, që hyjnë në fuqi javën e ardhshme, duke përfunduar një hetim 1-vjeçar, mbi ato që Uashingtoni i quan praktika të padrejta tregtare dhe duke rindezur tensionet me vendin e Amerikës Latine pasi negociatat dështuan.

Masa, e ndërmarrë në bazë të Nenit 301 të Aktit Amerikan të Tregtisë të vitit 1974, synon disa praktika të Brazilit, si urdhrat që detyrojnë kompanitë amerikane të teknologjisë, përfshirë X, Meta dhe Google, të heqin përmbajtje të caktuara politike dhe të pezullojnë llogari të banorëve të Shteteve të Bashkuara, tarifat preferenciale që Brazili aplikon për Meksikën dhe Indinë, mbrojtjen e dobët të të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe pengesat për hyrjen në tregun brazilian të etanolit.

Tarifat prej 25%, që do të hyjë në fuqi më 22 korrik, do të zbatohet për shumicën e importeve nga Brazili, me përjashtime për mallra të caktuara si mishi i viçit, lëngu i portokallit, avionët dhe pjesët e tyre, si dhe produktet e energjisë. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, në një deklaratë të postuar në X, i cilësoi tarifat si të pabaza dhe u zotua të ndërmarrë kundërmasa, ndërkohë që do ta ngrejë çështjen brenda kornizës së mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së.

“Nuk ka asnjë justifikim për masa të njëanshme, duke pasur parasysh se Uashingtoni ka pasur një suficit kumulativ prej 424.5 miliardë dollarë në mallra dhe shërbime me Brazilin gjatë 15 viteve”, tha presidenti, duke cituar të dhënat e qeverisë amerikane. Suficiti tregtar i mallrave të Shteteve të Bashkuara me Brazilin ishte 14.4 miliardë dollarë vitin e kaluar, thuajse dyfish më e lartë, krahasuar me vitin paraardhës.

Tarifat e reja vijnë pas vendimit të Gjykatës së Lartë në SHBA, e cila në shkurt anuloi taksat e mëparshme prej 50% të Presidentit Donald Trump mbi mallrat braziliane, duke mbajtur në fuqi vetëm një tarifë globale prej 10%. Në një postim në X, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se qeveria braziliane “nuk kishte negociuar me mirëbesim” dhe se tarifat ishin çmimi i që Lula da Silva duhet të paguajë, pasi vuri egon e tij përpara arritjes së një marrëveshjeje.

Mosmarrëveshja është reflektuar edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Brazil, që mbahen në tetor. Lula ka akuzuar senatorin Flavio Bolsonaro se ka ndihmuar në vendosjen e tarifave pas vizitës së tij në Uashington, megjithëse senatori e mohoi këtë dhe tha se planifikonte të bindte administratën Trump që të shtynte aplikimin e tarifave deri pas zgjedhjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat