Bota Postuar më 13 Tetor 2025, 10:49

Kush po paguan për tarifat e Trump? - Kompanitë dhe konsumatorët amerikanë po mbajnë “barrën” kryesore

Nga Kristi Ceta

Kush po paguan për tarifat e Trump? - Kompanitë dhe konsumatorët

Kompanitë dhe konsumatorët amerikanë po bartin barrën kryesore të tarifave të reja të importit. Të dhënat e para kundërshtojnë deklaratat e presidentit Donald Trump dhe vështirësojnë betejën e Rezervës Federale kundër inflacionit.

Trump kishte parashikuar se vendet e huaja do të paguanin çmimin e politikave të tij proteksioniste, duke besuar se eksportuesit do të përthithnin kostot vetëm për të ruajtur qasjen në tregun më të madh të konsumit në botë.

Por studime akademike, sondazhe dhe komentet e bizneseve tregojnë se në muajt e parë të regjimit të ri tregtar, janë kompanitë amerikane ato që po përballojnë koston dhe po ua kalojnë pjesërisht konsumatorëve. “Pjesa më e madhe e kostos duket se po mbulohet nga firmat amerikane. Ne kemi vënë re një transmetim gradual të kostos te konsumatorët dhe një presion të qartë për rritje,” shpjegojnë analistët.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se “amerikanët mund të përballen me një periudhë kalimtare për shkak të tarifave,” por kostoja “në fund do të bjerë mbi eksportuesit e huaj.” Po ashtu, kompanitë po diversifikojnë zinxhirët e furnizimit dhe po rikthejnë prodhimin në SHBA, shtoi ai.

Studiuesit kanë monitoruar çmimet e rreth 360,000 produkteve në dyqane fizike dhe online në Shtetet e Bashkuara. Ata zbuluan se mallrat e importuara janë bërë 4% më të shtrenjta që nga vendosja e tarifave në fillim të marsit, ndërsa çmimet e produkteve vendase janë rritur me 2%. Shtrenjtimet më të mëdha janë vërejtur në mallra që SHBA nuk i prodhon dot vetë, si kafeja, ose që vijnë nga vende të ndëshkuara me tarifa të larta, si Turqia.

Megjithëse këto rritje çmimesh janë të ndjeshme, ato janë zakonisht shumë më të vogla se vetë tarifa, gjë që tregon se shitësit po përthithin një pjesë të kostos. Nga ana tjetër, çmimet e importeve në SHBA tregojnë se eksportuesit e huaj i kanë rritur çmimet në dollarë dhe ua kanë kaluar pjesërisht koston blerësve amerikanë, për të kompensuar dobësimin e dollarit kundrejt monedhave të tyre.

Kjo tregon se prodhuesit e huaj nuk po vuajnë pothuajse aspak nga tarifat amerikane, thonë studiuesit. Treguesit kombëtarë të eksportit pasqyrojnë të njëjtin realitet. Kostoja e mallrave të eksportuara nga Kina, Gjermania, Meksika, Turqia dhe India është rritur, me Japoninë si të vetmin përjashtim.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat