Bota Postuar më 5 Shkurt 2026, 09:32

Kina, plan sfidues kundër dollarit - Jinping: Duhet të aspirojmë dominim valutor në tregje

Nga Dorian Koça

Kina, plan sfidues kundër dollarit - Jinping: Duhet të aspirojmë

Kina po harton një plan sfidues kundër dominancës amerikane në financat globale duke implikuar ndikim më të madh të monedhës vendase përballë dollarit të plotfuqishëm amerikan.

Pasiguritë gjeopolitike të nxitura kryesisht nga politika ekonomike e Presidentit Trump, kanë shtyrë dollarin në rënien më të madhe prej katër vitesh. Ndërkohë, investitorët po dynden drejt aseteve të sigurta, duke i çuar çmimet e arit në nivele rekord prej më shumë se 5,500 dollarë për ons. Kjo i ka dhënë shtetit aziatik mundësinë e artë në promovimin e monedhës juan si një alternativë e qëndrueshme ekonomike.

Revista kryesore e ideologjisë së partisë komuniste, publikoi vërejtjet e Presidentit Xi Jinping që përshkruanin planet për ta shndërruar juanin kinez në një monedhë rezervë globale. Ky është roli që luan aktualisht dollari amerikan, duke e bërë atë një nga investimet më të sigurta në botë.

Askush nuk pret që kjo të ndryshojë “sa hap e mbyll sytë”. Por rënia e ndjeshme e vlerës së dollarit gjatë administratës Trump shihet që u ka hapur dyert sfidave të mundshme.

Udhëheqësi Jinping u tha zyrtarëve qeveritarë se Kina duhet të aspirojë krijimin e “një monedhe të përdorur gjerësisht në tregtinë ndërkombëtare dhe këmbimin valutor”, me një “bankë qendrore të fuqishme” dhe aftësinë për të tërhequr investime dhe ndikuar në çmimet globale.

Por, ndërsa Kina e ka portretizuar juanin si një monedhë të përshtatshme dhe të sigurt për tregtinë globale, ekspertët thanë se kontrollet e rrepta mbi lëvizjen e parave brenda dhe jashtë vendit do t'i dekurajojnë investitorët dhe institucionet financiare që të mbështeten në rezervat e monedhës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat