Amerika Postuar më 2 Tetor 2025, 10:44

Shtëpia e Bardhë “ndëshkon” shtetet demokrate - Ngrin 26 miliardë dollarë fonde, kërcënon shkurtime në administratë

Nga Kristi Ceta

Shtëpia e Bardhë “ndëshkon” shtetet demokrate - Ngrin

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ngrirë 26 miliardë dollarë fonde federale për shtetet që drejtohen nga guvernatorë demokratë. Masa vjen pas kërcënimit për të goditur prioritetet e demokratëve gjatë bllokimit të qeverisë.

Në mesin e programeve të prekura janë 18 miliardë dollarë për projekte transporti publik në Nju Jork, ku jetojnë dy udhëheqësit kryesorë të demokratëve në Kongres, si dhe 8 miliardë dollarë për projekte të energjisë së gjelbër në 16 shtete të udhëhequra nga forcat e opozitës. Në një deklaratë për mediat, qeveria paralajmëroi se administrata mund të zgjerojë spastrimin e nëpunësve federalë nëse bllokimi vazhdon përtej disa ditëve.

Këto veprime tregojnë qartë se Trump është i vendosur të përdorë bllokimin për të ndëshkuar kundërshtarët politikë dhe për të forcuar kontrollin mbi buxhetin federal prej 7 trilionë dollarësh, të cilin Kushtetuta Amerikane ia cakton Kongresit. “Miliona dollarë mund të kursehen,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ky është bllokimi i 15-të i qeverisë që nga viti 1981, dhe ka ndalur projekte të kërkimit shkencor, mbikëqyrjen financiare, pastrimin mjedisor dhe një sërë aktivitetesh të tjera qeveritare. Rreth 750,000 punonjës federalë janë urdhëruar të mos shkojnë në punë, ndërsa të tjerë, si ushtarët dhe agjentët e patrullës kufitare, po punojnë pa pagesë.

Shtëpia e Bardhë shtoi se, nëse bllokimi zgjat, do të nisë shkarkimi i përhershëm i punonjësve, përveç 300,000 të tjerëve që do të largohen deri në dhjetor. Ky do të ishte një hap i paprecedentë, pasi bllokimet e mëparshme nuk kanë çuar në largime të përhershme nga puna. Kryetari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëroi se ngrirja e fondeve për projektet e metrosë dhe porteve në Nju Jork mund të shkaktojë humbjen e mijëra vendeve të punës.

Ndërkohë, Senati ka dështuar përsëri në përpjekjet për të mbajtur funksionimin e qeverisë: si propozimi republikan për ta financuar deri më 21 nëntor, ashtu edhe propozimi demokrat që përfshinte fonde shtesë për kujdes shëndetësor, u hodhën poshtë nga votimet në sallë.

Edhe pse republikanët kanë shumicën në Senat (53-47), atyre u duhen të paktën shtatë vota demokrate për të kaluar projektbuxhetet, pasi kërkohen 60 vota për miratim.

Në qendër të krizës është financimi prej 1.7 trilionë dollarësh për funksionimin e agjencive federale, që përbën rreth një të katërtën e shpenzimeve vjetore të qeverisë amerikane. Pjesa tjetër shkon për programe shëndetësore, pensione dhe pagesa interesi për borxhin federal, që ka arritur në 37.5 trilionë dollarë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat