Shqipëria Postuar më 16 Shkurt 2023, 13:59

Edhe BERZH ul projeksionet për Shqipërinë - Ekonomia do të rritet me 2.5% këtë vit, 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i kaluar

Nga SCAN TV
Edhe BERZH ul projeksionet për Shqipërinë - Ekonomia do të

"Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim" (BERZH) ka shkurtuar projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, pranë 2.5% nga 3% që ishte në rishikimin që bëri ky institucion në shtatorin e vitit të kaluar, thuhet në raportin më të fundit të tij mbi perspektivën ekonomike të vendeve që mbulon. Kështu, për këtë vit projeksionet për rritjen ekonomike janë shkurtuar me 0.5 pikë përqindje. Ndërkohë, parashikimet për vitin e ardhshëm, pra për vitin 2024 janë më optimiste se ato për vitin aktual. Sipas të dhënave të raportit të BERZH, projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin e ardhshëm janë pranë 3,3%.

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria bashkë me Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut rezultojnë si tre shtetet me shkurtimin më të vogël të projeksioneve për vitin aktual, me 0.5 pikë përqindje për vendin tonë dhe me nga 0.3 pikë përqindje për Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë vlen të përmendim se "Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim" i ka shkurtuar projeksionet për rritjen ekonomike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia mban rekord me shkurtimin më madh me 1.3%.

Sa i përket normave të rritjes ekonomike ndërkohë, sipas të dhënave shohim se Shqipërisë këtë vit projektohet t`ia kalojë Kosova dhe Mali i Zi. Këtë vit, rritja ekonomike në vendin tonë parashikohet të jetë 0.3 pikë përqindje mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 0.1 pikë përqindje më e ulët. Rritjen më të lartë ekonomike për këtë vit parashikohet ta ketë Mali i Zi, me 3.3%, ndërkohë ndiqet nga Kosova me 3%. Parashikimet për vitin e ardhshëm pozicionojnë Kosovën në krye me rritjen më të lartë, me 4%, pasuar nga Mali i Zi me 3.7% dhe Serbia me 3.5%.

Deri më tani, “Instituti i Vienës” ka parashikimet më pozitive për rritjen ekonomike të Shqipërisë sa i përket vitit aktual, me 3%, ndërkohë që rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2023, sipas FMN, parashikohej në 2%, krahasuar me vitin që lamë pas. Nga ana tjetër, sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për vitin aktual parashikohej në 2.2%, ndërsa Moody`s flet për një rritje prej vetëm 1.8% këtë vit.

Xhorxhina Deda/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat