Bota Postuar më 9 Dhjetor 2022, 09:57

Dollari, në nivelin më të ulët në 6 muaj - Shtohen shenjat që konfirmojnë ngadalësimin e ekonomisë amerikane

Nga SCAN TV
Dollari, në nivelin më të ulët në 6 muaj - Shtohen

Dollari po qëndron në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm, për shkak të shenjave se ekonomia amerikane mund të shkojë drejt recesionit gjatë vitit 2023. Megjithatë, investitorët po presin takimin e Rezervës Federale dhe të dhënat mbi inflacionin javën e ardhshme. Euro ka fituar rreth 0.5% të vlerës në sesionin e kaluar, përballë monedhës së gjelbër dhe po tregtohet në rreth 1.0570 dollarë, niveli më i lartë në 6 muajt e fundit.

Edhe paundi po qëndron në mbi 1.22 dollarë, gjithashtu niveli më i lartë në 6 muajt e fundit. Referuar të dhënave në SHBA, aplikimet për përfitimin e asistencës së papunësisë u rritën lehtë gjatë javës së kaluar, duke shtuar mundësitë që ekonomia më e madhe në botë të shkojë drejt recesionit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104.7 dhe pritet të realizojë humbjet më të mëdha tremujore që nga viti 2010. Menaxherët e parave vlerësojnë 93% mundësi që Rezerva Federale të rrisë me 50 pikë bazë, normën e interesit në takimin e javës së ardhshme.

Gjithashtu, edhe Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë do të njoftojë vendimet e politikave monetare javën që vjen, por do të bëjnë edhe një përditësim të parashikimin për ecurinë e ekonomisë, gjatë vitit 2023. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur ndjeshëm dhe po tregtohet në rreth 17,200 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1280 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat