Shqipëria Postuar më 29 Janar 2024, 16:22

Çmimet normalizojnë shifrat e transportit - "Mallrat nga deti", qarkulluan 8.8% më shumë në tremujorin e katërt

Nga SCAN TV

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT rezulton se volumi i mallrave të transportuara në rrugë detare që zë dhe peshën më të madhe të mallrave të transportuara gjithsej ka shënuar rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit 2023 me 8.8%

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT rezulton se volumi i mallrave të transportuara në rrugë detare që zë dhe peshën më të madhe të mallrave të transportuara gjithsej ka shënuar rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit 2023. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në portet detare është rritur me 8.8%. Në terma absolutë themi se volumi i mallrave të tregtuara me det, duke përfshirë eksportet dhe importet, është 1,739 mijë ton.  Tregtia e mallrave është favorizuar nga normalizimi i çmimeve dhe rënia e euros, faktorë këto që kanë nxitur rritjen e volumit të mallrave të blera. Kjo rritje konfirmohet edhe nga të dhënat e tregtisë së jashtme më herët.

Shifrat tregojnë se kanë hyrë dhe dalë gjithsej nga portet 207 anije nga të cilat 168 janë të huaja dhe 39 vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala rezulton të jetë rritur me 81.6%, ndërkohë që një rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe anijet e huaja me 80.6%. Për transportin e këtyre mallrave janë shfrytëzuar 4 portet detare që operojnë në Shqipëri, përkatësisht porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Rreth 94.3% e mallrave totale u transportuan në portin e Durrësit. Përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2023 volumi i mallrave të transportuara nga Porti i Durrësit u rrit me rreth 7.5%, krahsuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Po të njëjtët porte kanë shërbyer edhe për transportin e pasagjerëve. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar gjithsej nëpërmjet porteve detare në vend është 197,377. Ndërkohë, 64.7% e personave kanë zgjedhur portin e Durrësit duke e renditur kështu si portin kryesor me 127,600 shtetas të hyrë dhe të dalë, më pas ndjek porti i Sarandës, i cili u përdor nga 24.9% e pasagjerëve dhe përmes portit të Vlorës erdhën dhe u larguan 10.4% e pasagjerëve.

Në një analizë më të gjerë, shifrat vjetore tregojnë se përgjatë gjithë vitit 2023, numri i pasagjerëve që udhëtuan në rrugë detare ishte 2.8 milionë, numri më i lartë i të cilëve ka qenë në tremujorin e tretë që përfshin periudhën Korrik-Shtator 2023.

Armela Duka/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat