Bota Postuar më 19 Qershor 2022, 10:30

Çfarë është mosha imune dhe si ta përcaktojmë atë?!

Nga SCAN TV

Zakonisht, ne përdorim datën e lindjes për të përcaktuar moshën e një personi, por shkencëtarët mendojnë se kjo metrikë tashmë është e vjetëruar. Por mosha e imunitetit është diçka e re. Ne e dimë se mosha kronologjike dhe biologjike janë shumë të ndryshme, por pak njerëz e dinë se ekziston edhe një moshë imune që përshkruan më së miri gjendjen tuaj shëndetësore.

Kur flasim për moshën e njerëzve, zakonisht nënkuptojmë moshën kronologjike, e cila llogaritet në numrin e viteve nga data e lindjes së një personi. Kjo nuk merr parasysh faktorë të ndryshëm në zhvillimin e trupit, prandaj 2 persona të së njëjtës moshë mund të duken ndryshe.

Mosha biologjike përcakton më saktë gjendjen e trupit. Për shembull, ju mund të jeni 60 vjeç, por falë zakoneve tuaja të mira dhe stilit të jetesës së shëndetshme, do të dukeni 10-15 vjet më të rinj dhe trupi juaj do të ndihet mirë. Mosha biologjike ndikohet nga shumë faktorë, duke përfshirë ushqimin, sportin dhe gjumin, ndaj 2 persona të lindur në të njëjtin vit mund të kenë mosha biologjike shumë të ndryshme.

Çfarë është mosha imune

Por pse disa njerëz plaken më shpejt dhe të tjerët më ngadalë? Fakti është se plakja dhe mosha biologjike në masë të madhe varen nga funksionimi i sistemit imunitar. Me çdo vit që jetojmë, cilësia e punës së tij ndryshon: imuniteti i fëmijës është i dobët, sepse ai sapo ka filluar të përshtatet me mjedisin për t'u bërë më i fortë në adoleshencë dhe në moshë madhore, por në pleqëri dobësohet përsëri.

Përveç kësaj, shumë varet nga gjenet që ndikojnë në sistemin imunitar. Për shembull, nëse një person është gjenetikisht i predispozuar ndaj sëmundjeve të caktuara, problemi shpesh nuk mund të zgjidhet me ndryshime të thjeshta të stilit të jetesës. Mosha imune është një vlerësim se si funksionon sistemi imunitar. Një mori të dhënash nga mostrat e gjakut formojnë trajektoren e plakjes imune (IMM-AGE), e cila përshkruan statusin imunitar të një personi më mirë se mosha kronologjike.

Nëpërmjet kësaj analize, ju mund të gjeni dobësi në sistemin imunitar, si për shembull, nëse një person është i ndjeshëm ndaj sëmundjeve të caktuara. Kjo është arsyeja pse mosha imune është mënyra më e saktë për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të një personi, pavarësisht sa i ri apo i vjetër duken.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat