Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2022, 11:39

Bizneset fituan më shumë në vit krize? - Të ardhurat nga tatim-fitimi 172 milion euro, shënojnë rekord në 10 vite

Nga SCAN TV

Viti i krizës për qytetarët shqiptarë të cilët po përballen me një rritje të pashembullt të çmimeve, po përkthehet në një vit të “artë” financiar për buxhetin e shtetit. Ttë dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave të përpunuara nga SCAN TV, tregojnë se në 5 muajt e parë të vitit administrata tatimore ka arkëtuar nga tatim fitimi mbi bizneset rreth 28 miliardë lekë, e përkthyer në valutë 172 milionë euro,  apo 46.6 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Dhe po kështu rreth 50 milionë euro më shumë apo 38.7 për qind në raport me planifikimin e bërë. Po të analizojmë të dhënat e të ardhurave nga tatim fitimi për të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme, duket se ky 5 mujor shënon vlerën më të lartë dhe rekord të dekadës së fundit. Duke pasur parasysh se aktualisht vetëm afro 16 mijë sipërmarrje  në të gjithë vendin paguajnë tatim fitim, pasi bizneset e vogla me qarkullim 0-14 milionë lekë janë të përjashtuara dhe nuk ka pasur ndryshime në këtë drejtim, ky kapërcim i shifrës ka disa arsye.

E para lidhet me një fitim më të lartë të mundshëm të bizneseve për shkak të konfuzionit me çmimet, i diktuar nga kriza, e dyta lidhet me luftën e administratës tatimore ndaj evazionit fiskal dhe ekzekutimin e planit anitinformalitet dhe arsyeja e tretë ka të bëjë me pagesën në kohë të kesteve nga ana e tatimpaguesve, duke qenë se një vit më parë për shkak të pandemisë ka pasur vonesa të konsiderueshme, ku dhe u aplikua amnisti për gjobat e vendosura.

Shkalla e tatimit mbi fitimin për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë aplikohet në 15% e fitimit të tatueshëm. Ndërsa gjatë gjithë vitit që lamë pas nga ky zë janë mbledhur 294 milionë euro në total. Në vitin 2023, me përfshirjen në skemë të një numri të lartë të vetëpunësuarish që aktualisht janë të përjashtuar nga tatimi, planifikohet që të ardhurat në buxhet nga ky zë do të të rriten ndejshëm .

Të ardhurat nga tatim-fitimi

5-mujori 2022  20.8 miliard lekë

5-mujori 2021    15.1 miliard lekë

Plani 5-mujori 2022   15 miliard lekë

Elisabeta Dosku / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=FWBVMUmHacE

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat