Shqipëria Postuar më 1 Prill 2023, 10:15

Bizneset e huaja, 3.7% e totalit - Të dhënat për 2021/ Kontribuan me 18.3% të punësimit dhe 19.8% të shitjeve

Nga SCAN TV
Bizneset e huaja, 3.7% e totalit - Të dhënat për 2021/ Kontribuan

Në vitin 2021 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta zunë 3.7% të ndërmarrjeve aktive në operonin në Shqipëri, por pesha e tyre në punësim dhe shitje ishte e konsiderueshme. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e fundit, ku në raport me vitin 2020 niveli është thuajse i njëjtë duke qenë se në atë periudhë këto ndërmarrje përbënin 3.6% të totalit.  Sipas INSTAT numri i këtyre ndërmarrjeve në vitin 2021 ishte 6 635, nga të cilat 5 250 janë ndërmarrje të huaja, ndërsa 1 385 me pronësi të përbashkët (shqiptare dhe të huaj).

Ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian zunë mesatarisht 57,6 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 9,9 % të këtyre ndërmarrjeve.

Në ekonominë shqiptare, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga Shtetet e Bashkimit Evropian janë mbizotëruese në aktivitetet: Shërbime të tjera, me 23,7 %, tregti  me 12,8 % dhe Industri me 9,4%.  Ndërkaq, në vitin 2021, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë realizuar 18,3 % të punësimit gjithsej dhe 19,8 % të shitjeve neto. Vendet e BE-së kanë pjesën më të madhe të shitjeve neto në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta me 56,9 %.

Përqindja më e lartë e të punësuarve në ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët është në sektorin e Industrisë përpunuese me 36,7%. Ndërkohë që, për treguesin e shitjeve përqindja më e lartë e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët është në sektorin e Tregtisë me 26,6 %. Për vitin 2021, Hollanda dhe Italia dominuan fluksin e investimeve direkte, respektivisht me 22,9% dhe 13,8%, teksa numri më I madh të ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët e zënë ndërmarrjet me pronësi/bashkëpronësi Italiane dhe Greke.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat