Europa Postuar më 4 Dhjetor 2025, 09:47

Macron kërkon bashkëpunim më të ngushtë me Kinën - Në fokus, lufta në Ukrainë dhe ulja e tensioneve tregtare

Nga Kristi Ceta

Macron kërkon bashkëpunim më të ngushtë me Kinën -

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri thirrje liderit kinez, Xi Jinping, që të bashkëpunojë më ngushtë në çështjet gjeopolitike, tregtare dhe mjedisore, ndërsa Bashkimi Evropian kërkon ndihmën e Kinës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, Pekini synon të sigurojë fitore diplomatike përballë tarifave amerikane.

Një delegacion i madh biznesi shoqëroi Macron në vizitën e tij të katërt shtetërore në ekonominë e dytë më të madhe të botës. Lideri francez synon të forcojë pozitën e tij në politikën e jashtme dhe të sigurojë marrëveshje komerciale për industrinë franceze, pas një vere të trazuar dhe përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

Ndërsa Kina synon të zbusë tensionet tregtare me BE-në në lidhje me sektorin e automjeteve elektrike të subvencionuara, duke u prezantuar si një partner tregtar i besueshëm dhe si një alternativë ndaj SHBA-së.

Xi inkurajoi Macron që të thellojë bashkëpunimin në hapësirën ajrore dhe energjinë bërthamore, si dhe në fushën e inteligjencës artificiale, ekonomisë së gjelbër dhe biofarmaceutikës.

Të dy liderët nënshkruan 12 marrëveshje bashkëpunimi pas bisedimeve të tyre, që përfshijnë plakjen e popullsisë, investimet bilaterale, energjinë bërthamore dhe ruajtjen e pandave.

Macron ka kërkuar në të kaluarën të paraqesë një front evropian të fortë ndaj Kinës, por pa u konfliktuar me Pekinin, pasi vendi është një treg kyç për shumë kompani të njohura franceze.

Deficiti tregtar i BE-së me Kinën është rritur me gati 60% që nga viti 2019, ndërsa bilanci tregtar i Francës me ekonominë prej 19 trilionë dollarësh vazhdon të zgjerohet. Kina është partneri i shtatë më i madh tregtar i Francës, duke blerë rreth 35 miliardë dollarë mallra çdo vit, sipas të dhënave doganore kineze. Rreth 10% e këtyre produkteve janë kozmetike, ndërsa pjesët e aeroplanëve dhe pijet alkoolike janë po ashtu ndër eksportet kryesore.

Nga ana tjetër, Franca importon mallra kineze me vlerë rreth 45 miliardë dollarë, kryesisht pako me vlerë të ulët përmes platformave “online” si Shein, falë një përjashtimi doganor të BE-së për blerjet nën 150 euro.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat