Europa Postuar më 27 Prill 2023, 11:32

BE kërkon të barazojë aksesin ndaj ilaçeve dhe të ulë çmimet - Firmat farmaceutike nuk janë aspak të kënaqura!

Nga SCAN TV
BE kërkon të barazojë aksesin ndaj ilaçeve dhe të

Bashkimi Europian nisi rishikimin e tij të shumëpritur të legjislacionit ekzistues farmaceutik, duke reflektuar ndryshimin më të madh të ligjeve të bllokut që rregullojnë industrinë në dekada. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, thotë se reformat do ta bëjnë industrinë më të ‘shkathët’, si dhe do t'i bëjnë ilaçet "më të disponueshme, të arritshme dhe të përballueshme".

Një nga synimet kryesore të BE-së është t'u ofrojë pacientëve akses më në kohë dhe të barabartë në ilaçe në të gjithë bllokun 27-vendesh.

Pacientëve në Gjermani u duhen afërsisht 133 ditë për të pasur akses në ilaçe të reja, kundrejt 899 ditëve për pacientët në Rumani, sipas Federatës Europiane të Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike. Grupi zbuloi gjithashtu se 92% e "ilaçëve inovativë" ishin në dispozicion në Gjermani, krahasuar me 30% në vendet më të vogla dhe anëtare të BE-së të Europës Lindore.

Propozimi redukton periudhën e ekskluzivitetit që u jepet barnave të sapokrijuara që hyjnë në treg nga 10 vjet në 8. Kompanitë mund ta zgjasin atë deri në 10 vjet nëse e lëshojnë ilaçin në të 27 vendet anëtare të BE-së brenda dy viteve. Një efekt anësor pozitiv për konsumatorët do të ishte rënia e çmimit të barnave në një kohë më të hershme.

Megjithatë, firmat farmaceutike dhe grupet lobuese thonë se masa mund të pengojë inovacionin dhe disponueshmërinë e përgjithshme të barnave. Ata argumentojnë se masat mund të rezultojnë të ndërlikuara dhe të kushtueshme për kompanitë, të cilat mund të vendosin të mos zhvillojnë ose lëshojnë fare ilaçe të reja brenda BE-së, duke e lënë bllokun pas SHBA-së dhe Kinës.

Kreu i divizionit farmaceutik të firmës gjermane bioteknike Bayer, Stefan Oelrich, i tha Reuters javën e kaluar se ndryshimet mund të kenë një "ndikim katastrofik" pasi kompanitë heqin dorë nga projektet e zhvillimit. Një zëdhënës i Bayer tha se pikëpamjet e industrisë u pasqyruan nga EFPIA, grupi tregtar për industrinë farmaceutike evropiane të bazuar në kërkime.

Nathalie Moll, drejtore e përgjithshme e EFPIA, tha se grupi dhe anëtarët e tij mbështesin qëllimet e strategjisë, por se propozimi "arrin të minojë kërkimin dhe zhvillimin në Europë, duke dështuar të adresojë aksesin në ilaçe për pacientët". Moll tha se masat vendosin një "objektiv të pamundur për kompanitë". Shumica e vonesave të aksesit ndodhin pasi kompanitë kanë paraqitur për çmime dhe rimbursim dhe janë në pritje të vendimeve të jashtme, shtoi ajo.

Shefi i GSK Emma Walmsley tha të mërkurën se BE-ja duhet të "rregullojë rritjen dhe konkurrencën" sepse kompanitë farmaceutike "kanë zgjedhje se ku përqendrohen kapitali dhe burimet tona", raportoi Reuters. Qeveria gjermane ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet ndaj inovacionit.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat