Bota Postuar më 8 Qershor 2022, 15:31

BB ul parashikimet për ekonominë globale - Rritja frenon në 2.9%, paralajmërohet rreziku për stagflacion

Nga SCAN TV

Banka Botërore ul parashikimet për sa i përket rritjes globale, me gati një të tretën duke frenuar në 2.9% për vitin 2022. Sipas saj pushtimi rus i Ukrainës ka komplikuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe shumë vende aktualisht po përballen me recesion

Lufta në Ukrainë ka përforcuar dhe më shumë ngadalësimin e ekonomisë globale, e cila tani po hyn në atë që mund të cilësohet si një periudhë e zgjatur e rritjes së dobët dhe inflacionit të lartë. Banka botërore në raportin e saj për perspektivat ekonomike globale, paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet dhe më shumë

Në një konferencë për shtyp, presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se rritja globale mund të bjerë në 2.1% në 2022 dhe në 1.5% në 2023, duke e çuar rritjen për frymë afër zeros, nëse rreziqet në rënie do të materializoheshin.

Malpass tha se rritja globale po dëmtohet nga lufta, mbylljet e reja si pasojë e COVID në Kinë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziku në rritje i stagflacionit - një periudhë e rritjes së dobët ekonomike dhe inflacioni të lartë parë. Për herë të fundit një situatë e tillë është përjetuar në vitin 1970.

Në prezantimin e raportit Malpass shtoi se rreziku i stagflacionit duhet marrë në konsideratë. Sipas tij rritja e ulët ekonomike do  të vazhdojë gjatë gjithë dekadës për shkak të investimeve të dobëta në pjesën më të madhe të botës. Me inflacionin që shënon nivelet më të larta prej dekadash në shumë vende, dhe oferta pritet të rritet ngadalë, ndaj ekziston rreziku që inflacioni të mbetet i lartë për më shumë kohë, tha ai.

Në periudhën 2021 - 2024, ritmi i rritjes globale parashikohet të ngadalësohet me 2.7 pikë përqindjeje, më shumë se dyfishi i ngadalësimit të parë në periudhën 1976 - 1979. Raporti paralajmëron se rritjet e normave të interesit të kërkuara për të kontrolluar inflacionin në fund të viteve 1970 ishin aq të pjerrëta sa shkaktuan një recesion global në vitin 1982 dhe një varg krizash financiare në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.

Por përtej ngjashmërive ndërmjet këtyre periudhave, gjithashtu ka dhe dallime të rëndësishme duke përfshirë fuqinë e dollarit amerikan dhe çmimet në përgjithësi më të ulëta të naftës, si dhe bilancet përgjithësisht të forta në institucionet kryesore financiare.

Sipas Malpass për të zvogëluar rreziqet, politikëbërësit duhet të bashkëpunojnë për të koordinuar ndihmat për Ukrainën, për të rritur prodhimin e ushqimit dhe energjisë dhe për të shmangur kufizimet e eksportit dhe importit që mund të çojnë në rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe ushqimeve.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=BMnMj27dMoA

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat