Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2022, 14:15

APP zhduk tenderin e kontestuar të KESH - E paprecedentë/ Platforma e shit-blerjes së energjisë, asnjë gjurmë në sistem!

Nga SCAN TV
APP zhduk tenderin e kontestuar të KESH - E paprecedentë/ Platforma e

Në formë të paprecedentë, tenderi për ngritjen e platformës së shit-blerjes së energjisë elektrike, i kontestuar disa herë nga operatorët ekonomikë për kriteret e vendosur, është hequr nga sistemi elektronik i Agjencisë së Prokurimit Publik.

Procedura tenderuese për ngritjen e platformës së shit-blerjes së energjisë elektrike, e kontestuar disa herë nga operatorët ekonomikë për kriteret e vendosur, është hequr nga sistemi elektronik i Agjencisë së Prokurimit Publik. Tenderi u hap nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, me njoftim të shkurtuar me argumentin se nevojitej ndërtimi sa më i shpejtë i një sistemi elektronik, me qëllim sigurimin e energjisë me çmime sa më të ulta, në kushtet kur çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare ishin tejet të larta.

Nëse tenderi do të mbyllej me sukses, 1 muaj pas nënshkrimit të kontratës, platforma do të ishte gati, por procedura u shoqërua me një sërë ankesash nga operatorët ekonomikë, që akuzuan KESH për përcaktime deri në detaje të specifikimeve teknike, mekanizma që shpesh herë përdoren nga institucionet për të paracaktuar kompaninë fituese. Por, teksa çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rritje të ndjeshme, ndërsa nevoja për energji është rritur, platforma jo vetëm që nuk është gati, por tashmë tenderi nuk ndodhet më në sistemin elektronik i Agjencisë së Prokurimit Publik.

Për ndërtimin e platformës u hapën 2 procedura. Tenderi i parë u shpall në datën 25 shkurt, por procedura u anulua nga KPP, që konstatoi se në dokumentet e tenderit Korporata kishte përcaktuar deri në detaje disa specifikime teknike, duke kufizuar maksimalisht zgjidhjet e mundshme që mund të ofrohen nga operatorët ekonomikë të interesuar. Në vendim kërkohej rishpallja e procedurës, duke hartuar specifikimet teknike që lejojnë zgjidhje të ndryshme dhe që hapin maksimalisht konkurrencën.  Tenderi u rihap në muajin prill, me një fond limit prej 198 mln lekësh apo 43 mln lekë më shumë se procedura fillestare e shpallur në muajin shkurt.

Por, pas rihapjes së garës, kompania që kontestoi procedurën e parë u ankua sërish në KPP, pasi sipas saj specifikimet teknike ishin të njëjta me procedurën e mëparshme, me disa elementë të shtuar. Kompania evidentonte se vonesat në finalizimin e kësaj procedure, po dëmtonin interesat publike dhe binin në kundërshtim me vetë njoftimin e shkurtuar të kontratës, por teksa pritej një vendim i dytë nga Komisioni i Prokurimin Publik, ankesa u tërhoq, teksa KPP vendosi të lejonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të vijonte procedurën tenderuese, që në fillim të qershorit shpalli edhe fituesin. Mbetet e paqartë se pas gjithë këtyre hapave, tenderi është fshirë nga sistemi, teksa e vetmja procedurë e mbetur është ajo fillestare, që u zhvillua në muajin shkurt.

Ola Mitre / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=M5OGGmce25E

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat