Analiza Postuar më 4 Gusht 2025, 10:18

Tarifat e Trump në Evropë/ Si do të ndikohen konsumatorët evropianë?!

Nga Kristi Ceta

Tarifat e Trump në Evropë/ Si do të ndikohen konsumatorët

Çmimet e produkteve evropiane pritet të rriten në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër, marrëveshja tregtare nuk duhet të shkaktojë inflacion në Evropë, pasi Bashkimi Evropian nuk ka vendosur tarifa kundër produkteve amerikane.

SHBA dhe BE arritën një marrëveshje për të shmangur një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, duke parandaluar kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump për tarifa prej 30 për qind mbi shumicën e mallrave evropiane.

Sipas paktit paraprak, rreth 70 për qind e eksporteve të bllokut në SHBA tani do të jenë subjekt i një tarife prej 15 për qind, ndërsa 30 për qindëshi i mbetur është ende pjesë e negociatave të mëtejshme.

Bashkimi Evropian nuk ka vendosur barriera tarifore ndaj produkteve amerikane, kështu që çmimet e tyre nuk do të rriten në Evropë. “Ndikimi mbi konsumatorët evropianë do të jetë i kufizuar”, shpjegojnë ekspertët e sektorit.

“Tarifat doganore paguhen nga importuesi. Në këtë rast, taksa 15 për qind që Shtetet e Bashkuara vendosin mbi produktet e BE-së aplikohet për importuesit amerikanë. Kjo do të thotë se disa produkte mund të bëhen më të shtrenjta për qytetarët amerikanë”, nënvizojnë ata.

Rritja e produkteve kineze

Në periudhën afatgjatë, produktet kineze që aktualisht eksportohen në Shtetet e Bashkuara mund të gjejnë rrugën e tyre në tregun evropian, gjë që mund të sjellë uljen e çmimeve në Evropë.

“Efekti kryesor do të jetë një ulje e kërkesës për produktet evropiane në Shtetet e Bashkuara, më pak kërkesë për produktet kineze në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo nënkupton që këto produkte më pas do të përpiqen të gjejnë një treg në Evropë, duke sjellë çmime më të ulëta”, tha një studiues i tregut evropian.

Megjithatë, këto çmime të ulëta për konsumatorët evropianë do të ishin lajm i keq për disa biznese. “Ekzistojnë disa kompani që janë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me rivalët kinezë. Dhe këto kompani do të kenë vështirësi me çmimet e ulëta në treg,” shpjegon ai.

Ulje e kërkesës për produktet e BE-së në SHBA?

Firmat evropiane që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përballen me një ulje të kërkesës në anën tjetër të Atlantikut, pasi produktet e tyre mund të bëhen më të shtrenjta. Kjo mund të çojë në rënie të të ardhurave të tyre dhe potencialisht humbje të vendeve të punës në Evropë.

“Ekzistojnë disa kompani në sektorë të caktuar, si për shembull industria farmaceutike, ku një pjesë e madhe e eksporteve dhe punësimit lidhen me produkte që shkojnë në Shtetet e Bashkuara. Por, në shumicën e sektorëve, kjo përbën një përqindje të vogël të prodhimit,” thonë analistët.

Si rezultat i marrëveshjes, Trump shpreson se kompanitë e huaja do të hapin fabrika në SHBA për të shmangur taksat doganore. Megjithatë, pasiguritë rreth paktit dhe kohëzgjatjes së këtyre barrierave tarifore mund të japin efektin e kundërt, duke i dekurajuar kompanitë evropiane nga investimet në SHBA.

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat