Europa Postuar më 2 Gusht 2025, 12:59

Industria evropiane e makinave “nën presion” - Tarifat për automjetet do të mbeten 25%, pavarësisht paktit SHBA-BE

Nga Kristi Ceta

Industria evropiane e makinave “nën presion” - Tarifat për

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zbatojnë tarifat 25% mbi automjetet evropiane, pavarësisht paktit me BE-në për detyrime 15%. Gjithashtu, paqartësitë vijojnë për shumë sektorë si metalet dhe rrjetet digjitale, ku palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje përfundimtare.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk duket i gatshëm të ulë presionin ndaj prodhuesve evropianë të makinave. Urdhri ekzekutiv amerikan për tarifat reciproke nuk aplikoi masat prej 15%, të dakordësuara mes palëve, për importet amerikane të automjeteve. Që nga 2 prilli, makinat e BE-së janë goditur me tarifa prej 25% sipas Ligjit Amerikan për Zgjerimin e Tregtisë, i cili lejon presidentin e SHBA-së të kufizojë importet e mallrave që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Marrëveshja mes presidentes Ursula von der Leyen dhe Trump synonte të aplikonte tarifat prej 15% për makinat e BE-së dhe të përjashtonte nga tarifat disa produkte strategjike si avionët, por asnjë nga këto nuk përmendet në urdhrin ekzekutiv. Ky urdhër vendos një tarifë të përgjithshme prej 15% për mallrat e bllokut dhe do të hyjë në fuqi nga 8 gushti. Çdo përpjekje për të shmangur këto tarifa do të ndëshkohet me një taksë prej 40%.

Komisioni dhe administrata amerikane po hasin vështirësi në dakordësimin e një teksti të përbashkët dhe deri tani kanë promovuar narrativa të ndryshme për marrëveshjen. Vijojnë paqartësitë për fatin e çelikut dhe aluminit, që aktualisht janë të goditur nga tarifa amerikane prej 50%. Sipas Komisionit, metalet priten të jenë së shpejti pjesë e kuotave më të ulëta. Po ashtu, vazhdojnë negociatat për disa përjashtime, ndërsa industria e pijeve alkoolike në BE po shton presionin.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu pretendojnë se BE është angazhuar të mos aplikojë tarifa për përdorimin e rrjeteve të telekomunikacionit në një akt të ardhshëm për Rrjetet Digjitale, i cili aktualisht po debatohet mes kompanive evropiane dhe gjigantëve amerikanë të teknologjisë në Bruksel. Ndërkohë, Komisioni ka theksuar se një dokument i publikuar në shkurt 2024 vlerësoi se vendosja e një takse për rrjetet digjitale nuk është “zgjidhje e qëndrueshme dhe nuk do të aplikohej vetëm për kompanitë amerikane”.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...