Akti Normativ për Buxhetin 2023/ Mete: Synon të sigurojë stabilitetin makroekonomik të vendit!

Ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, ka prezantuar sot Aktin Normativ për Buxhetin 2023 para Komisionit të Ekonomisë ku evidentoi se ky akt ka për qëllim rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike dhe rialokimin e tyre drejt projekteve me ecuri pozitive.
Disa nga pikat kyçe të prezantimit janë prirja pozitive në të ardhurat tatimore e cila pritet të sjellë një rritje prej rreth 7.5 miliardë lekësh në të ardhurat e vitit 2023 si dhe rishpërndarja e 45.8 miliardë lekëve në mes të shpenzimeve buxhetore të zonave korrente dhe kapitale synon përshpejtimin e projekteve pozitive.
Sipas Mete defiçiti buxhetor pritet të mbetet në nivelet e parashikuara, ndërsa borxhi publik do të ulet si rezultat i uljes së financimit nga projektet e huaja.
‘Ekonomia ka shënuar rritje, sidomos në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, me një ecuri të fortë të punësimit dhe uljen e papunësisë ndërsa inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta, nën mesataren e vendeve të BE-së,’ është shprehur Mete.
Gjithashtu Mete vuri në dukje se shpenzimet buxhetore janë rritur për sektorët e rindërtimit, ujësjellësit, rrugët, bujqësinë, policinë, dhe shërbimet e AKSHI-t si dhe the4ksoi se ndryshimet e propozuara nuk prekin defiçitin buxhetor, ndërsa borxhi publik pritet të zbresë në raport me Prodhimin Bruto Vendor (PBB).
Ky Akt Normativ synon të përmirësojë menaxhimin e buxhetit për vitin 2023 dhe të sigurojë stabilitetin makroekonomik të vendit.
Fjala e Ministrit Ervin Mete në Komisionin e Ekonomisë për Aktin Normativ për Buxhetin 2023:
I nderuar Kryetar i Komisionit,
Të nderuar Deputetë,
Rishikimi i parë i buxhetit për vitin 2023, të cilin Qeveria miratoi përmes këtij Akti Normativ, ka në fokusin e tij rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike, nëpërmjet rialokimit të kursimeve dhe të ardhurave shtesë drejt projekteve me ecuri pozitive, duke siguruar realizimin e objektivave makroekonomikë e fiskalë të përcaktuara në planin e miratuar të buxhetit fillestar 2023. Më konkretisht, ky Akt siguron:
- Reflektimin e një rritjeje prej rreth 7.5 miliardë lekë të të ardhurave, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave tatimore për 9 mujorin 2023.
- Rishpërndarjen e 45.8 miliardë lekëve mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, për mobilizimin e të gjithë planit të shpenzimeve publike për pjesën e mbetur të vitit 2023, veçanërisht përshpejtimin e projekteve me ecuri pozitive.
- Ruajtjen të pandryshuar të defiçitit buxhetor, siç ishte parashikuar në buxhetin fillestar 2023. Ndërkohë që, borxhi publik reflekton uljen e financimit nga projektet e huaja dhe rritjen e financimit të instrumenteve të tjera financiare si Eurobond dhe mbështetje buxhetore me terma të buta.
Sa i takon të ardhurave, plani i të ardhurave të përgjithshme, i rritur me +7.5 miliardë lekë, mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave tatimore për 9 mujorin 2023, si edhe vlerësimet e pritshme pozitive për mbylljen e këtij viti.
Në terma konkretë, gjatë periudhës janar-shtator, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë realizuar 100.2%, ndërkohë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë realizuar 111.4%, duke arkëtuar 10.4 miliardë lekë më shumë. Gjithashtu edhe për mbylljen e vitit 2023 parashikohet një performancë pozitive në realizimin e të ardhurave doganore dhe tatimore.
Ekonomia ka pasur një ecuri pozitive dhe së fundmi kemi rishikuar për sipër projeksionet për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti.
Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Sektori financiar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.
Vlerësojmë se ekonomia ka fondemente të qëndrueshme dhe kjo u vu në dukje edhe në deklaratën e fundit të Misionit të FMN. Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektiv, në funksion të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Politika fiskale synon një trajektore rënëse të borxhit publik, duke planifikuar balanca primare pozitive prej vitit 2024 e në vijim, në përputhje edhe me rregullat fiskalë në Ligjin Organik të Buxhetit.
Sa i përket shpenzimeve, në Aktin Normativ, parashikohet rritje e shpenzimeve të përgjithshme, kundrejt rritjes së të ardhurave, në të njëjtën masë prej rreth +7.5 miliardë lekë, duke arritur nivelin 705.6 miliardë lekë. Së bashku me këtë rritje Akti Normativ rishpërndan rreth 46 miliardë lekë. Kjo vlerë është rezultat i kombinimit të kursimeve në zërat që kanë patur nën-realizim në nivel 9 mujor nga njëra anë, dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë pozitive, nga ana tjetër.
Shpenzimet publike gjatë 2023 janë karakterizuar nga kursime të larta, si pasojë e situatës së përmirësuar energjitike, shpenzimeve më të ulëta për interesa, dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike, sidomos me financim të huaj, të cilat për shkak të vonesave kryesisht procedurale nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara. Ndërkohë, zbatimi i projekteve të brendshme, në veçanti procesi i Rindërtimit synohet të përshpejtohet më tej përmes rialokimit të fondeve shtesë të propozuara në këtë akt normativ.
Referuar sa më lart, shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorë si rindërtimi, ujësjellësit, rrugët, bujqësia, policia e shtetit, etj. Në terma konkretë, rritjet më domethënëse janë aplikuar për:
- Fondin e Rindërtimit që rritet në masën +12 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim, qe aktualisht zbatohen nga bashkitë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo shtesë siguron financimin e plotë të punimeve të kryera deri tani, si dhe punëve të pritshme për t’u realizuar deri në fund të vitit 2023.
- Projektet me financim të brendshëm rriten me 13.8 miliardë lekë, kryesisht me qëllim akomodimin e detyrimeve për projektet në vazhdim të rrugëve me rreth 8.6 miliardë lekë, ujësjellësve me rreth 4.9 miliardë lekë, AKSHI-t me 2.35 miliardë lekë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me 1.5 miliardë lekë. Fondet buxhetore për shpenzime kapitale po orientohen drejt atyre sektorëve, të cilët performojnë më mirë, natyrisht duke vlerësuar të gjithë sektorët.
- Shpenzimet Korrente rriten me 10.7 miliardë lekë, ku vendin kryesor e zë mbështetja për fermerët, skema e paaftësisë, ish-të përndjekurit, policia, sistemi i burgjeve, rrugët dhe mirëmbajtja e sistemeve të AKSHI-t.
- Fondi Rezervë dhe Kontigjenca është rritur 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 300 milionë lekë fondi rezervë me qëllim garantimin e financimit të shpenzimeve të paparashikuara deri në fund të vitit 2023 dhe 1.4 miliardë lekë kontigjenca me qëllim adresimin eventual të të gjitha kërkesave të mbetura të institucioneve për mbulimin e efektit të aplikimit të pagave të reja për vitin 2023.
- Fondeve për pushtetin vendor u shtohen 250 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milionë lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.
Në përmbyllje, është e rëndësishme të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ, nuk prekin defiçitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në.
Shumë faleminderit!
Sondazh

Zgjidhet qeveria e re e në Malin e Zi - Milojko Spajiç bëhet kryeministri i ri i vendit
Parlamenti i Malit të Zi, ka zgjedhur sot qeverinë e kryeministrit Milojko Spajiç, pas seancës plenare që zgjati përgjatë gjithë natës. Qeveria e re e Malit......

Avioni kundër turbulencës me krahë inteligjentë!
Gjatë fluturimit, një takim i afërt me turbulencat mund të jetë një përvojë e frikshme apo edhe dramatike: më 31 gusht 2023, një aeroplan i Delta Airlines që......

Kriza energjetike/ Kush ka energjinë dhe gazin më të shtrenjtë në Europë dhe si pozicionohet Shqipëria?
Çmimet pre-taksave të energjisë elektrike dhe gazit natyror u rritën pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por tani ato janë në rënie. Edhe pse pak më......

Amerikanët paguhen për të mos punuar! - 80% e të punësuarve marrin raport, ose leje të paguar
Amerikanët po paguhen gjithnjë e më shumë për të mos punuar. Rritja e numrit të ditëve të lejes së paguar – duke përfshirë pushimet familjare, mjekësore dhe......

Rënie e përgjithshme e valutave kryesore - Dobësohen ndjeshëm Dollari dhe Paundi!
Dollari amerikan ka humbur pikë ndjeshëm nga dita e hënë teksa është blerë këtë mëngjes me 98.8 lekë dhe është shitur me 100 lekë sipas kursit të këmbimit......

Facebook dhe Instagram, me pagesë në Europë - Deri 13 euro/muaj për përdoruesit që do të zgjedhin të mos shohin më reklama
Meta vendos një version me pagesë të rrjeteve të saj sociale. Shoqëria e themeluar dhe e drejtuar nga Mark Zuckerberg do i ofrojë përdoruesve europianë......

“Çmimi i naftës mund të shënojë rekord të ri” - Parashikimi i BB: Deri 157 dollarë/fuçi nga përshkallëzimi i luftës Izrael-Hamas
Çmimet e larta rekord të naftës mund të jenë një realitet shumë më pranë se sa mendohet, nëse do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës Izrael –......

Prezantohen kompjuterët e rinj MacBook Pro dhe iMac - Risia lidhet me çipat e personalizuara të vetë kompanisë Apple
Apple prezantoi kompjuterët e rinj MacBook Pro dhe iMac dhe tre çipa të rinj për t'i fuqizuar ata, me kompaninë që tha se kishte ridizajnuar njësitë e saj të......