Scan Life Postuar më 12 Korrik 2023, 13:39

7 në 10 biznese shqiptare, "në hall" për IT/ Eurostat: Kemi normën më të lartë në rajon dhe ndër të parat në Europë

Nga SCAN TV
7 në 10 biznese shqiptare, "në hall" për IT/  Eurostat:

Rreth 68% e ndërmarrjeve shqiptare që kanë rekrutuar ose janë përpjekur të rekrutojnë specialistë të teknologjisë së informacioni kanë hasur vështirësi sipas një publikimi të fundit të “Agjencisë Europiane të Statistikave”. Ky tregues e rendit Shqipërinë mes vendeve me normën më të lartë të bizneseve të cilët e kanë të vështirë të plotësojnë vakancat me specialistë të kësaj fushe. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2022 rezulton të jetë 62.8%. Pra, jemi të renditur mbi mesataren e BE-së, saktësisht me 5 pikë përqindjem më shumë.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria regjistron normën më të lartë të ndërmarrjeve që kanë hasur vështirësi në rekrutimin e specialistëve të teknologjisë së informacionit. Bosnje Hercegovina renditet e dyta me një normë prej 64.5% dhe qëndron po ashtu mbi mesataren Europiane. Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi janë pozicionuar jo vetëm poshtë mesatares, por edhe ndër vendet e Europës me normën më të ulët. Përkatësisht përqindjet për këto tre vende të rajonit janë 58.2%, 53.9% dhe 41.6%. Mali i Zi është vendi i tretë në Europë, sipas shifrave, me përqindjen më të ulët të ndërmarrjeve që kanë hasur vështirësi në rekrutimin e specialistëve të teknologjisë së informacionit.

Kjo panoramë për vendin tonë dukshëm është kontributi negativ i emigrimit masiv të popullsisë dhe sidomos specialistëve të fushave të ndryshme. Theksojmë se mungesa e fuqisë punëtore dhe e aftësive po e impakton gjithmonë e më shumë ekonominë. Një tjetër faktor i vështirësive në rekrutimin e specialistëve të teknologjisë mund të jetë edhe niveli i pagave në Shqipëri për këtë sektor, krahasuar me vendet e tjera, të cilat tërheqin personat e specializuar në këtë fushë.

Sllovenia, Çekia dhe Gjermania janë vendet që kryesojnë Europën me normën më të lartë të  ndërmarrjeve që kanë hasur vështirësi në rekrutimin e specialistëve të teknologjisë së informacionit, me 78%, 77% dhe 76.6%. Gjermania po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore në disa fusha ku ndër to edhe teknologjia e informacionit. Së fundmi ky shtet po e trajton mungesën e punëtorëve të kualifikuar përmes të ashtuquajturës ‘kartë të re mundësie’, ku do të përdoret një sistem pikësh për t’ua lehtësuar ardhjen punëtorëve të huaj të kualifikuar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat