Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2023, 15:06

Wizz Air Albania 8,000 fluturime këtë verë, 3.3 Mln pasagjerë - Varadi: Aktualisht zëmë 58% të tregut shqiptar, do shtojmë numrin e avionëve dhe destinacionet

Nga SCAN TV
Wizz Air Albania 8,000 fluturime këtë verë, 3.3 Mln

Kjo verë ka qenë mjaft pozitive për kompaninë Wizz Air në Shqipëri. Gjatë këtij sezoni ajo ka kryer mbi 8 mijë fluturime, ndërkohë që deri fund të shtatorit përmes avionëve të saj kanë fluturuar 3,358,000 pasagjerë, numër që deri në fund të vitit parashikohet të arrijë në 4,600,000. Në një komunikim me mediat, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Wizz Air Jozsef Varadi tha se asnjë bazë tjetër e kompanisë nuk ka rritje kaq të shpejtë sa ajo e Tiranës, duke zënë edhe 58% të tregut shqiptar të fluturimeve. Aktualisht kompania mbulon mbi 50 linja në 16 shtete.

“Që kur nisëm të operonim në Shqipëri, në vitin 2020, ne kemi transportuar në total 9 milionë pasagjerë. 58% e tregut shqiptar të fluturimeve mbulohet nga Wizz Air, gjë që na bën kompaninë lider në vendin tuaj. Dhe është ëjo që duhet të prisni nga ne edhe në të ardhmen. Ne do vijojmë të jemi lider, ne do vijojmë të ecim drejt inovacionit, destinacioneve e mjeteve të reja. Rritja e numrit të pasagjerëve këtë vit është impresionuese. Ne transportuam 3.6 milionë pasagjerë vitin e shkuar, presim të arrijmë 4.6 milionë këtë vit.”

Më tej, Varadi tha se kompania planifikon të rrisë si numrin e avionëve që operojnë në Shqipëri, ashtu edhe destinacionet, duke shtuar se numri i avionëve do të shkojë në 13, ndërkohë që do shtohen edhe dy destinacione të reja.

“Ne do të çojmë nga 10 në 13 numrin e avionëve në Tiranë. Një do të arrijë këtë vit, ndërsa dy të tjerë në marsin dhe qershorin e vitit të ardhshëm. Po ashtu, do të shtojmë edhe dy linja të reja, në Leipzig dhe Valencia, ndërkohë që do të rrisim edhe frekuencën e udhëtimeve për linjat ekzistuese,” tha ai.

Investimi i Wizz Air në tregun shqiptar raportohet në vlerën 1.1 miliardë euro. Ajo numëron rreth 400 të punësuar në stafin e vet, por edhe 7 mijë vende pune që asocionohen me aktivitetin e kompanisë.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat