Shqipëria Postuar më 25 Shtator 2023, 11:53

Vlerësimi i Standard&Poor’s për Shqipërinë – Mete: Tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë

Nga SCAN TV
Vlerësimi i Standard&Poor’s për Shqipërinë –

Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete ka reaguar në lidhje me vlerësimin duke shpjeguar procesin që ka çuar në këtë rezultat dhe përfitimet e mundshme për Shqipërinë.

“Vlerësimi i përmirësuar është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë Shqiptare. Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm, tha Mete,

“Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndërkohë që turizmi ka patur një zgjerim të jashtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori”, Shtoi ministri.

“Si rezultat i përmirësimit të bilancit tregtar, të ardhurave nga turizmi dhe i investimeve të huaja direkte, ka patur përmirësim të ndjeshëm të ekuilibrit të jashtëm. Llogaria korrente, rezultati i të gjithë marrëdhënieve të vendit me jashtë, pritet të zbresë poshtë 6% të PBB-së për herë të parë pas 15 vitesh”, tha Mete.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj gjithashtu reagoi në lidhje me vlerësimin më të fundit të Shqipërisë.

“Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) ka rishikuar për lart parashikimin për ekonominë shqiptare nga “perspektivë e qëndrueshme” në “perspektivë pozitive”, çka do të thotë një klimë e përmirësuar për biznesin e ndikuar nga politikat e ndërmarra në funksion të zhvillimit ekonomik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se në rishikimin më të fundit, Agjencia thekson se rritja ekonomike pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit 2023, ndërkohë që do të lehtësohen edhe kushtet e financimit të ekonomisë.

Ky vlerësim, sipas ministres Ibrahimaj, do të ndikojë në rritjen e interesit të investitorëve të huaj në vend.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat