Europa Postuar më 22 Shkurt 2023, 10:23

Varfëria në një nga vendet më të pasura në botë!

Nga SCAN TV
Varfëria në një nga vendet më të pasura në

Kuzhina e parë për të varfërit (Tafel) u hap në Berlin 30 vjet më parë ku të varfrit marrin ushqim, i cili ndryshe do të hidhej në mbeturina. Numri i atyre që i shfrytëzojnë këto kuzhina po rritet ndjeshëm. Frymëzimi për këtë projekt erdhi nga SHBA. Një anëtare e një shoqate të grave në Berlin lexoi një artikull rreth vullnetarëve në Nju Jork që shpërndanin për të pastrehët ushqime të hedhura. "Mendova: OK, mund ta bëjmë edhe ne këtë”, kujton Sabine Werth,. "Ne donim të ofronim një tryezë të pasur për ata që përndryshe nuk mund kishin ushqime", thotë ajo. Kjo është arsyeja pse 30 vjet më parë, së bashku me kolegët e saj nga Iniciativa e Grave të Berlinit, ajo themeloi kuzhinën e parë për të varfrit (Tafel = tryezë), e cila është ende më e madhja në vend. Sot "Berliner Tafel” është një shoqatë qytetarësh e regjistruar që funksionon në mënyrë të pavarur.

Ideja për të krijuar një kuzhinë ku shërbehet supë dhe ushqime të tjera për nevojtarët u përhap shpejt. Sot janë 936 të tilla në të gjithë Gjermaninë. Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve shpërndajnë ushqimet e mbetura që nuk mund t'i shesin një ose dy herë në javë, zakonisht në mbrëmje. Në këtë mënyrë u mundësohet njerëzve të varfër të hanë ushqime të freskëta, mollë, salsiçe apo bukë. Për ta bërë këtë, ata duhet të dokumentojnë se kanë nevojë, për shembull, me një vërtetim nga zyra e mirëqenies sociale.

Në fillim, kuzhinat ishin kryesisht vetëm për të pastrehët, por kjo ka ndryshuar. Tani ato janë një lehtësim i madh për këdo që ka nevojë. Ka shumë prindër të vetëm, pensionistë me pensione të vogla dhe refugjatë që vijnë dhe ushqehen këtu. Sepse vetëm nëse është e mundur të kursehet pak nga buxheti i pamjaftueshëm mujor, janë të mundshme edhe shpenzime të tjera, si për shembull, për një fletore për fëmijën në shkollë ose një vizitë në kinema.

Shoqata ombrellë e kuzhinave për të varfrit vlerëson se vitin e kaluar dy milionë njerëz në Gjermani e përdorën këtë mundësi - dukshëm më shumë, rreth 50 %, se një vit më parë.

Megjithëse Gjermania është një nga vendet më të pasura në botë, 13.8 milionë njerëz jetojnë në rrezik nga varfëria ose ishin të prekur drejtpërdrejt nga varfëria në vitin 2022. Por sa për shpjegim: Në rastin e Gjermanisë flitet për varfëri relative dhe jo absolute, sepse njerëzit nuk duhet të vuajnë dhe vdesin nga uria ose të ngrijnë në rrugë nga të ftohtit. Varfëria në Gjermani do të thotë se personi nuk ka aq, sa njerëzit nuk mund të marrin pjesë në jetën normale shoqërore, ka ditë që ata nuk kanë drekë për fëmijët, nuk ka udhëtime për pushime dhe nuk mund t'u ofrohet arsim cilësor të rinjve.

Në fillim, kuzhinat e këtilla shiheshin si një mundësi për të kursyer të paktën një pjesë të ushqimit që përndryshe shpërdorohej dhe hidhej, ndërkohë që të tjerët kanë nevojë për ushqime. Por ndërkohë ato janë kthyer në një lloj pasqyre të shoqërisë në një tregues se edhe në Gjermani ka varfëri.

Kur u hap kuzhina e parë në vitin 1993, varfëria ende nuk njihej nga politika si problem social. Motoja ishte: varfëria nuk ekziston, nëse do të punosh, puno. "Për fat të mirë, gjërat kanë ndryshuar shumë në 30 vjet”, thotë Sabine Werth, "Sot nuk ka më asnjë parti, asnjë grup parlamentar, asnjë politikan që thotë se nuk ka varfëri në Gjermani.” Kjo është, ndër të tjera, meritë e shumë kuzhinave të këtilla në vend. Fakt është se pothuajse në çdo qytet ka të paktën një kuzhinë të tillë, varfëria është bërë e dukshme. DW

E . S / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat