Europa Postuar më 27 Tetor 2023, 14:37

Turqia rrit normën bazë të interesit në 35% - Përpjekja e Bankës qendrore mund të komplikohet nga lufta Izrael-Hamas

Nga SCAN TV
Turqia rrit normën bazë të interesit në 35% - Përpjekja

Turqia ka rritur normat e interesit për herë të pestë që nga qershori i këtij viti, ndërsa beteja kundër inflacionit shumë të lartë dhe kërcënimi i përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, përbëjnë një sfidë për politikëbërësit. Banka Qendrore e Turqisë rriti të enjten normën bazë të interesit me 5 pikë përqindjeje në 35 për qind, në përputhje edhe me parashikimet e ekonomistëve të anketuar nga Reuters. Rritja e madhe e normës së interesit është shenja më e fundit se si Turqia ka orientuar ashpër politikën e saj ekonomike që kur presidenti Recep Tayyip Erdogan u rizgjodh në krye të shtetit në zgjedhjet e majit.

Shefja e bankës qendrore, Hafize Gaye Erkan, është zotuar që nga emërimi i saj në qershor të shtrëngojë politikën monetare aq sa është e nevojshme për të ulur inflacionin, i cili shkon në më shumë se 60 përqind. “Shtrëngimi monetar do të forcohet më tej aq sa është e nevojshme, derisa të arrihet një përmirësim i ndjeshëm i perspektivës së inflacionit”, tha Guvernatorja e Bankës së Turqisë, Hafize Gaye Erkan, ndërsa paralajmëroi se “zhvillimet gjeopolitike paraqesin rreziqe për perspektivën e inflacionit”, nëse sjellin çmime më të larta të naftës.

Çmimi i naftës Brent të Londrës, që është bençmarku global i naftës së papërpunuar është rritur gati 20 për qind në 88 dollarë për fuçi që nga fillimi i qershorit. Ulja e prodhimit dhe eksporteve nga Arabia Saudite dhe Rusia kanë nxitur pjesërisht rritjen. Por analistët gjithashtu kanë frikë se çdo përshkallëzim i luftës Izrael-Hamas në një konflikt më të gjerë rajonal do të çojë ndikojë në çmime edhe më të larta.

Turqia e importon pjesën më të madhe të burimeve të energjisë dhe, përveç rritjes së inflacionit, çmimet më të larta të naftës do ta bëjnë më të vështirë për qeverinë arritjen e qëllimit për të ngushtuar deficitin masiv të llogarisë korente të vendit.

“Shtrëngimi i politikës monetare nga banka qendrore dhe komunikimet e saj të fundit kanë ndihmuar në rindërtimin e besueshmërisë dhe kanë krijuar besimin se po merr një qëndrim më serioz kundër inflacionit,” tha Liam Peach, ekonomist i lartë i tregjeve në zhvillim pranë Capital Economics. Që nga koha kur Elkan e mori detyrën e guvernatores në qershor, banka qendrore ka më shumë se katërfishuar normën e REPO-ve 1-javore, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, i cili është nxitur si nga mbinxehja e kërkesës së brendshme ashtu edhe nga çmimet e larta të energjisë.

Politika e normave të larta të interesit shënon një kontrast të fortë me këmbënguljen e gjatë të presidentit Erdogan, që kostot e huamarrjes duhet të mbahen në nivele të ulëta, pavarësisht një periudhe të zgjatur inflacioni të lartë. Por, në muajin shtator Erdogan e përqafoi publikisht politikën e shtrënguar monetare, diçka që ka ndihmuar në zbutjen e skepticizmit se presidenti turk do të ndryshojë kurs përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, në të cilat partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim do të përpiqet të rimarrë kontrollin e qytetit më të madh të vendit, Stambollit.

Një sondazh i bankës qendrore, i zhvilluar përpara vendimit për të rritur normat e interesit të enjten, tregoi se investitorët turq dhe drejtuesit e bizneseve prisnin që norma e REPO-ve 1-javore të ishte në 39%, duke nënvizuar se si komuniteti i biznesit është i përgatitur për një periudhë të gjatë me kosto të larta huamarrjeje.

Normat më të larta të interesit janë pjesë e një rishikimi më të gjerë ekonomik që po drejtohet nga ministri i financave Mehmet Shimsek, i cili u emërua në qershor. Qeveria ka rritur taksat, ka ndërmarrë një sërë masash për të ngadalësuar huadhënien për individët dhe bizneset dhe ka lejuar që lira të luhatet më lirshëm.

Investitorët e huaj, të cilët u larguan nga Turqia pas viteve të politikave ekonomike jo favorizuese, kanë pasur përgjithësisht një pikëpamje optimiste për programin e ri, edhe nëse mbeten skeptikë se sa liri do të kenë politikëbërësit përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.

Investitorët po i kushtojnë gjithashtu vëmendje të madhe reagimit të presidentit Erdogan ndaj konfliktit Izrael-Hamas. Presidenti turk ka rritur retorikën e tij kundër shtetit hebre dhe aleatëve të tij perëndimorë ditët e fundit. Aksionet turke ranë ndjeshëm të mërkurën pasi Erdogan tha se Hamasi nuk është një organizatë terroriste, por një “grup çlirimtar”.

Por, në përpjekje për të balancuar këto deklarata, Erdogan vendosi t’i dërgojë parlamentit të Turqisë kërkesën e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. SHBA dhe Evropa kanë shtuar presionin ndaj Ankarasë që të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancën ushtarake.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat