Europa Postuar më 11 Nëntor 2023, 11:36

Turqia rifiton gradualisht besueshmërinë e saj në tregje - Emetimi i dytë i suksesshëm i obligacioneve të dollarit në shtatë muaj

Nga SCAN TV
Turqia rifiton gradualisht besueshmërinë e saj në tregje -

Investitorët po rikthehen në Turqi, vend të cilin e kishin braktisur vitet e fundit për shkak të politikave të paparashikueshme të presidentit erdogan. Gati gjashtë muaj pas rizgjedhjes së Erdoganit, me zhvendosjen e vendit drejt politikës monetare dhe ekonomike më ortodokse, Turqia është rikthyer me sukses në tregun e bonove në dollarë.

Në një ankand të obligacioneve islamike pesëvjeçare, të ashtuquajturat ‘sukuk’, qeveria turke mblodhi 2.5 miliardë dollarë me një yield prej 8.5%, i cili, megjithëse i lartë sipas standardeve perëndimore, ishte 37.5 pikë bazë më i ulët se sa ishte parashikuar fillimisht. Është hera e dytë në rreth shtatë muaj që vendi mbledh fonde nga tregu i obligacioneve në dollarë, pasi në prill ka emetuar 2.5 miliardë dollarë bono të gjelbra që maturohen në vitin 2030, të cilat kanë dhënë 9.3 %. Që atëherë, çmimi i këtyre obligacioneve është rritur, duke e ngjeshur yield-in e tyre në 8.6%.

Sipas një njoftimi lidhur me këtë raport të publikuar nga ministria e Financave, gjysma e investitorëve ishin nga vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa pothuajse 25% ishin nga Britania dhe 18% nga SHBA. Zyrtarë të qeverisë thanë për mediat ndërkombëtare se Turqia do të emetojë një obligacion brenda vitit për të mbledhur fonde për të financuar rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti në juglindje të vendit. Duhet theksuar se fondi sovran i pasurisë së Abu Dhabit pritet të blejë bono turke me vlerë 8.5 miliardë dollarë, emetimi i të cilave është planifikuar për në fund të vitit.

Rritja e kërkesës për borxhin turk zgjon një ndryshim në investitorët, të cilët duket se kanë ripërtërirë besimin në Turqi pas emërimit të dy teknokratëve në postet kyçe të politikës monetare dhe ekonomike, Mehmet Simsek si ministër financash dhe Hafiz Erkan si kreu i bankës qendrore. Ndryshimi në fund të fundit nuk ka qenë i kufizuar vetëm tek individët pasi në gjashtë muajt e fundit Banka e Turqisë ka bërë katër rritje radhazi të normave të interesit të lirës turke, duke arritur në 35%. Muajin e kaluar, Banka e Turqisë hoqi një nga rregullat që kishte bërë që bankat turke të ‘ankoheshin’, pasi i detyroi ato të blinin bono të qeverisë turke si një lloj penaliteti kur vendosnin norma të larta interesi për kredinë.

Siç theksojnë aktorët e tregut të obligacioneve, Turqia do ta ketë fituar bastin duke rifituar besimin e investitorëve të huaj kur ata të kthehen në tregun e bonove të lirës turke. Aktualisht, kapitali i huaj i investuar në këto obligacione arrin në vetëm 1 miliardë dollarë, krahasuar me mbi 70 miliardë dollarë një dekadë më parë.

Megjithatë, Turqia është ende duke luftuar me inflacionin e shfrenuar, i cili pavarësisht rritjeve të njëpasnjëshme të normave të interesit qëndron në 61.36% sipas të dhënave më të fundit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat