Shqipëria Postuar më 9 Janar 2024, 12:31

“Të rriten tenderët e gjelbër” - APP: Autoritetet të përdorin kritere mjedisore dhe sociale. Prioritet jo çmimi i ulët

Nga SCAN TV

Draft Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024 -2030 synon rritjen e prokurimeve të gjelbra. Sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik, legjislacioni kombëtar parashikon dhe inkurajon përdorimin e prokurimeve të gjelbra, sociale dhe inovative.

Ndërkohë që, autoritetet kontraktore mund të marrin parasysh shumë aspekte kur blejnë punë, mallra ose shërbime, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit, mbështetjen e aspekteve sociale dhe nxitjen e inovacionit, eficencën e energjisë, etj.

Megjithatë, akoma gjatë kryerjes së procedurave tenderuese, autoritetet kontraktore vijojnë përdorimin e çmimit më të ulët si kriterin kryesor për dhënien e kontratave publike. “Kjo tregon se blerësit publikë ndoshta nuk po i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme cilësisë, qëndrueshmërisë dhe inovacionit”, - thuhet ndër të tjera në dokument.

Duke marrë në konsideratë këtë situatë, draft strategjia parashikon ndërmarrjen e një sërë veprimesh për ndërgjegjësimin e autoriteteve kontraktore për përdorimin e kritereve të prokurimit publik të gjelbër. Objektivat e politikës i referohen prokurimit të qëndrueshëm me bazë përdorimin e kritereve të gjelbër, prokurimin social, inovacionin, etj.

Ndër tjera strategjia kërkon hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në linjë me zhvillimet më të fundit të Acquis të BE në fushën e prokurimeve publike, përfshirë sektorin e energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Ndërkaq, referuar indikatorëve, synohet që deri në vitin 2030 tenderët me kritere gjelbra të jenë në masën 20%.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat