Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2022, 11:40

Shqiptarët dynden me makina jashtë kufijve - Janar-maj, sigurimet e mjeteve që lëvizin jashtë territorit rritje 52.16%, numri i kontratave 67%

Nga SCAN TV

Heqja e çdo kufizimi lëvizjeje është përkthyer në rritje të fortë të numrit të mjeteve me targa shqiptare që kanë udhëtuar jashtë kufijve. Një prej treguesve më të dukshëm është kartoni Jeshil, sigurimi i detyrueshëm  për të gjitha automjetet me targa shqiptare që udhëtojnë jashtë territorit të vendit.

Sipas të dhënave të sapo publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-maj 2022 pati një rritje prej 52.1% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 67.31% krahasuar me periudhën janar-maj 2021.

Rritje më modeste ka shënuar Produkti Sigurim Kufitar, i cili në periudhën janar-maj 2022, pati një rritje 6.2% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-maj 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 9.03%. Ky produkt blihet nga të huajt në momentin që hyjnë në territorin shqiptar.

Ndërkohë që rritje kanë shënuar të gjitha produktet që kanë të bëjnë me sigurimin e detyrueshëm të automjeteve. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-maj 2022 arritën rreth 4,4 miliardë lekë, afërisht 44 milionë dollarë. Rritja rezulton 11.83 % krahasuar me periudhën janar-maj 2021.

Produkti MTPL e brendshme, e njohur gjerësisht si sigurimi i automjeteve, në periudhën janar-maj 2022, pati një rritje prej 6.82% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Normë me rritje më të ulët ndërkaq ka shënuar volumi i dëmshpërblimeve të paguara nga kompanitë për aksidentet me makina.

Sipas të dhënave të AMF, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-maj 2022 kapën vlerën 1,7 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 4.11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat