Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2022, 10:08

Ballkani Perëndimor në BE? Një tjetër zhgënjim nga Europa!

Nga SCAN TV

BE-ja u dha një tjetër zhgënjim vendeve të Ballkanit Perëndimor. Teksa i hapi rrugë Ukrainës për anëtarësim, ajo mbajti në vendnumëro Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të bllokuara nga Bullgaria.

Ndryshe nga sa paralajmëruan pak ditë më parë, drejtuesit politikë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk e anuluan pjesëmarrjen e tyre në samitin mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel më 23 qershor.

"Biseduam gjatë më liderët e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriu rreth samitit të ardhshëm. Duket se në fund të tij do të dëgjojmë një tjetër përgjigje: ‘Jo, na vjen keq!' Bullgaria që merr peng të gjithë Unionin nuk është ndonjë spektakël për t'u parë! Çfarë të bëjmë atje?!”

Me këtë status në Twitter, kryeministri shqiptar Rama mbase tentoi të parapërgatiste shqiptarët për një tjetër "JO” nga Bashkimi Europian, në lidhje me procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin e saj në BE. Një ditë më pas, ai konfirmoi vajtjen në këtë samit, duke e lidhur këtë ndryshim kursi me idenë që presidenti francez Macron hodhi më 9 maj të këtij viti, kur foli për një "Komunitet politik europian”, komunitet që do të shërbejë si "paradhomë” për shtetet që presin në radhë për t'iu bashkuar "dhomës së madhe” të BE-së. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama, presidenti serb Vuçic dhe kryeministri maqedonas Kovaçevski, në unison deklaruan se e pranonin ofertën franceze.

Ballkani Perëndimor rebelohet ndaj BE

Pas më shumë se pesë orë bisedimesh mes krerëve më të lartë të Bashkimit Europian, me liderët e Ballkanit Perëndimor, konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen u anulua zyrtarisht për shkaqe kohore.

Por teksa kjo konferencë u anulua, një tjetër konferencë mori vëmendjen e shumë mediave gjatë këtij samiti. Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski, si rrallëherë më parë, iu drejtuan me tone të ashpra dhe shpotitëse Unionit dhe drejtuesve të tij, ku nuk munguan as batutat e shkëmbyera mes tyre, të cilat e kthyen shpeshherë rëndësinë e ngjarjes në një "pazar të hareshëm ballkanik”.

Vetoja dyshe nga Bullgaria – shtet në të cilin qeveria ra një natë para mbajtjes së samitit, ishte fjala kyçe e përdorur në fjalimet e Kovaçevskit dhe Ramës. I pari e konsideroi atë si shtetin që mban peng ecjen para të Maqedonisë së Veriut. "I treguam BE se kemi vijat tona të kuqe kur flitet për Bullgarinë dhe siguroj qytetarët e mi që unë do të mbroj interesin e tyre deri në fund, duke mbrojtur gjuhën dhe identitetin tonë” – theksoi Kovaçevski, duke iu referuar konflikteve dhe lëmsheve historike të mbartura nga e kaluara me Bullgarinë. DW

SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat