Dossier Postuar më 28 Tetor 2022, 14:09

Shqipëria dhe Lojërat e Fatit-Si u tentua të ndalohej bixhozi në vitet ’20-’30 dhe frika për fenomenin amerikan të “prohibicionizmit”

Nga SCAN TV
https://www.youtube.com/watch?v=t3_H1NfPuMw Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN Bixhozi është konsideruar ndër vite një plagë sociale për shoqërinë shqiptare. Pas shpalljes së Pavarësisë në 1912, rezulton se kafenetë kanë qenë kryesisht vendet ku zhvillohej më shumë kjo veprimtari por nuk kanë munguar rastet kur personazhe të pushtetshëm të asaj periudhe i kishin kthyer shtëpitë në “kazino” shumë të frekuentuara. Kjo problematikë është evidentuar shpesh në shtypin e kohës, e madje Lumo Skëndo në shkrimet e tij i konsideronte kafenetë si “fole demoralizimi” e si “çerdhe përtimi”[i][1]. E në këtë kontekst, nuk kanë munguar as përpjekjet e vazhdueshme për frenimin e këtij fenomeni në Shqipëri. Përpjekjet e atyre viteve kanë qenë në dy drejtime; nga njëra anë ka pasur tentativa për ndalimin e bixhozit e nga ana tjetër për vendosjen e tij nën kontroll.

Ndalimi i parë i bixhozit në 1914

Ndër përpjekjet e para për të ndaluar bixhozin në Shqipëri është ajo e vitit 1914 nga forcat ushtarake holandeze që ishin në Shqipëri për ruajtjen e rendit publik dhe riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare që solli princ Vidin në drejtimin e vendit. Referuar raportimeve gazetareske të kohës, bixhozi në këtë periudhë ishte kthyer në një problematikë serioze dhe nëpër kafene luaj aq shumë bixhoz sa gdhihej gjithë natën. Gjatë kësaj periudhe, rezulton se ligjërisht u ndalua plotësisht bixhozi në vendet publike e për këtë ndëshkimi ishte burgosja. Megjithëse urdhëresa e gjeneralit holandez De Veer [2]që drejtonte misionet ushtarake në terren, parashikonte ndalimin e bixhozit në vende publike e kafene, sërish nuk mungojnë raportime gazetareske për shkeljen e këij urdhëri. E një rast i tillë raportohet në Vlorë me 31 janar të vitit 1914 kur banakieri i një lokali të njohur në qytetin e Vlorës u kapën sëbashku me 4 persona të tjerë duke luajtur bixhoz. Personat dolën para gjyqit ushtarak dhe u dënuan me një javë burg.  

Federata “Atdheu” dhe projekti për lotarinë e monopolizimin e bixhozit

Në shtatorin e vitit 1921 në seancë plenare do të diskutohej statuti i federatës “Atdheu” të ideuar nga Avni Rustemi që kishte bashkuar në një kupolë 25 shoqëri. Kjo federatë do të kërkonte nga parlamenti jo vetëm miratimin e një fondi financiar për funksionimin e saj por gjithashtu do të paraqiste edhe një seri kërkesash e masash që duheshin marrë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Për të arritur këtë, ata kërkonin që parlamenti të ndërmjetësonte te qeveria për realizimin e tyre. Në programin e saj kjo organizatë kishte edhe ndalimin e bixhozit, por në kërkesat e saj drejtuar parlamentit shqiptar ishte edhe një pikë që ku kërkohej që të merreshin masa serioze për ndalimin e bixhozit pasi “ka marrë një fytyrë epidemike në Shqipëri”. [3]Në listën e kërkesave ishte edhe ajo për dhënien e të drejtës për krijimin e një lotarie kombëtare, me kusht që kjo të ushtrohej në kontrollin e plotë të shtetit. Kjo kërkesë do të ngjallte jo pak diskutime mes deputetëve. Ali Këlcyra në atë periudhë shpreh shqetësimin se kjo nuk është hera e parë që një organizatë kërkon ndalimin e bixhozit, por sipas tij “këto në vend që me e ndalue kumarin e kan përhap ma shumë tue u ba qendra e kumareve” ndaj edhe Kelcyra e kundërshton pikën e dhënies së lotarisë për federatën. E në fakt, në fund të diskutimeve, deputetët bien dakord për miratimin e kërkesës për lotari por jo për monopolizimin e bixhozit duke ia akorduar këtë të drejtë kësaj federate.  

Ndryshimi i Kodit Penal Osman dhe projekti i Komisionit të Drejtësisë për ndëshkimin e bixhozit

Në vitin 1922, Komisioni i Drejtësisë do të diskutonte projektin e amendimit të Kodin Penal Osman, në atë kohë ende në fuqi në Shqipëri për faktin se nuk ishte miratuar kodi i ri. Propozimi parashikonte ndryshimin e nenit 242 duke ashpërsuar masat ndëshkimore për bixhozin e duke parashikuar masa shumë të ashpra jo vetëm për lojtarët por edhe për ata që merrnin pjesë si spektatorë lojëra të tilla. [4]Propozimi ishte si më poshtë: Bixhozi asht krejt i ndaluem: Të gjitha lodrat qi çquhen për shpejtësie në të lojtur, për karakter aleator dmth qi risultati I tyne varet më shumë prej fatit se prej mjehstëriës dhe qi presumohen se luhen me të holla sipërsh poker, bakara, lasqinë, bizik, brick, vidho, tridhetenji, plakoto, backë, barbut, taulapokar etj quhen bixhoz. Lodrat e tjera qi nuk përfshihen në kategorinë e caktume ma nalt nuk quhen bixhoz veç-se pot ë kapen tue u lujt me të holla. Për formimin e plotë të delikteve dhe fajeve të parapame në këtë nen duhet si element i domosdoshëm flagranca dmth auktorët të kapen në vendin dhe kohën e lodrës ku do të bëhet mbi ngjarjen një procesverbal i rregullt. Lujtësit, pregatitësit e vendit të lodrës, ata qi ndihmojnë në vendin e lodrës tue huar lujtësit si dhe ata qi mbajn seir dënohen. Ata qi lozin bixhoz dënohen me burgim 3 muej deri  1 vit dhe me gjobë 20-200 franga ar si dhe me konfiskimin e veglave të lodrës dhe t’hollave në u gjençin në para ose në fishe (marka). Ata qi në një vend të posaçmë, veç banimit familiar mbledhin dhe pranojnë njerës për të lojtur bixhoz dënohen me burgim 6 muaj deri në 1 vit dhe me gjobë 50-500 franga ar. Ata qi banimin e vet familiar e bëjnë vazhdimisht qendrë bixhozi me qëllim fitimi dënohen me burgim deri 6 muaj deri në 2 vjet dhe me gjobë 200-2000 franga ar. Ata qi me qëllim interesi në vendin e bixhozit ndihmojn lojtësit tue huar ose ndruar të hollat me sende të vefshëme dënohen me burgim 1 javë deri 3 muej dhe me gjobë 20-100 franga ar. ata qi pa bërë as nji delikt prej të parapame në paragrafët e sipërm të këtij neni, ndodhen në vendin e lodrës tue mbajt sehir dënohen me burgim 3 dit deri në 1 javë. Pranimi i djemvet ose vajzave 13 vjeç e poshtë në vendin e bixhozit formon shkak rëndësimi për gjith auktorët e parapamë në paragrafin e përparshëm. Për gjithë nënpunësit e shtetit civil dhe ushtarak cilësia e tyre formon shkak rëndësimi dhe dënohen veç dënimit të përkatshim dhe me pushimin e tyne nga nënpunësia prej 1-6 muaj. Në propozim kishte edhe një shtojcë që parashikonte shpërblime për ata që denonconin ata që luanin bixhoz si dhe falje dënimi për lojtarët denoncues. Shtojcë Veglat dhe të hollat e konfiskume si dhe gjysma e gjobës, me vendim të gjyqit jepen si dhuratë nënpunësit ose nënpunësve kompetentë qi zbuluan deliktin. Në këtë darovë marrin pjesë njisoj me nënpunësit dhe ata qi mund të kenë lajmue autoritetet kompetente brenda në kohën e lodrës; lajmësi në qoftë ndonji prej auktorëve të delikteve ose fajvet të parapame në këtë nen, veç pjesës së darovës q’i përket falet dhe nga dënimi. Në fakt ku ndryshim ligjor u shoqërua edhe me disa amendime të tjera, që kishin në fokus ruatjen e moralit, duke u fokusuar të të rinjtë. Në këtë kontekst, u përcaktua ndalimi i konsumit të alkoolit te të rinjtë nën 18 vjeç, ashtu sikurse u propozua fillimisht që kishte masa ndëshkimore edhe për të miturit që konsumonin duhan.   

[5]Replikat Gurakuqi-Vinjau për bixhozin

Ndryshimet në Kodin Penal do të prodhonin jo pak diskutime në parlament. Madje dy miqtë Stavro Vinjau dhe Luigj Gurakuqi do të shfaqnin qendrime të ndryshme për çështjen, duke shkëmbyer replika të vazhdueshme. Nëse analizojmë diskutimet, Luigj Gurakuqi është për linjën e ashpër të ndëshkimit ndërsa Stavro Vinjau, me profesion avokat, i mëshon më shumë çështjes së të drejtës juridike duke vënë theksin në aspektet proceduriale ligjore e në mënyrën e zbatimit të kësaj nisme. Stavro Vinjau: Më duket se definicioni i bixhozit nuk e jep atë kuptim. Në këtë paragraf rrëfehen disa lodra të cilat quhen bixhoz por më duket se këto lodra pot ë mos luhen me qëllim fitimi (kumari) nuk është e drejtë të jenë të ndalueme. Fjala vjen mblidhen disa miq në nji shtëpi të nji miku dhe aty losin për të kaluar kohën, sa për dëfrim e jo për qëllim fitimi. Nuk jam kundërshtar që të mos ndalohet bixhozi po më duket se definition që ka caktue Komisioni i Drejtësisë nuke p kuptimin e vërtetë të bixhozit e se këtë definition duhet të ja lemë gjykatsit. Po të luhet me qëllim kumara është i ndaluem përndryshe jo se më duket se nuk asht nji gja e drejtë kur të luhet për dëfrim e pa qëllim fitimi të dënohet njeri. Pra jam i mendjes që kur lohet pa qëllim fitimi të mos ketë dënim e caktimin se kur është kumarë t’ja lemë gjykatës. Luigj Gurakuqi: Mjerisht në Shqipni jo vetëm bixhozi por edhe lodrat e tjera janë përhapë aqë fort sa nëpër kafehane nuk shofim tjetër veç se njerëz tue luejtun,  në ditët e pushimit edhe nëpunësit mlidhen nëpër kafehana e lozin e me gjithë at ajr të keq që ka mbrenda nuk tunden aspak. Prandaj unë kisha me thanë që të gjithë lojët të jenë të ndalueme faret pse kujtoj se edhe në qoftë se luhet për zbavitje shpeshherë zbavitja kthehet në dëshirë fitimi e nmga dëshiri i fitimit lindët dëshiri i bixhozit me gjithë rrjedhat e liga qi sjell mbrapa. Stavro Vinjau: Ku do të shkojnë nëpunësit kur nuk kanë asnji zbavitje? Luigj Gurakuqi: Zoti Vinjau thotë se populli nuk ka asnji zbavitje tjetër; mir po edhe kur ndonjiherë kemi ndonjë theathër të vogël populli nuk vjen e preferon të rrinë në kafe e të lozë. Vinjau: Kur entreja është 6 korona si do të shkojnë në Theatro? Gurakuqi: Pra për arsyenat qi tregova ma sipër jam antar që neni 1 të mbetet si ka qenë Debatet në parlament në fakt sjellin propozime të reja dhe amendime nga propozimi fillestar. Ndryshe nga sa ndodh me penalitetet për ata që kapen duke luajtur bixhoz, për ata që përdorin banesat apo që bëjnë sehir gjatë kohës që luhet bixhoz, parashikimet ligjore për ndëshkimet lehtësohen.

[6]Seanca e dhjetorit 1922 dhe dënimi i deputetëve me gjobë

Veç seancës së muajit nëntor, edhe në muajit dhjetor të vitit 1922 do të diskutohej sërish ndryshimi i kodit penal osman për çështjen e bixhozit. Gjatë këtyre diskutimeve, spikat fjalimi i Ali Kelcyrës, sipas të cilit, ndalimi I bixhozit në kafene do të bëjë që ai të transferohet nëpër banesa. Ai vë theksin në faktin se edhe vetë oficerët që kanë për detyrë të ndalojnë bixhozin, janë vetë pjesë e tij. Ali Këlcyra:” ...Bixhozi këtu është bërë një plagë. Ditë e natë oficerë e të tjerë lozin bixhoz e populli po i vështron me një sy të keq. Po përjashtuan shtëpit, kumarxhinjtë do të mblidhen ndër këto se janë të sigurtë që s’i gjen dot njeri. Kështu bixhozi nga kafet do të vejë ndër shtëpia. Nuk është ndonjë gjë e keqe që të hyjë policia e të vështrojë ndër shtëpiat. Nuk e kuptoj ç’dëm do të dalë nga këjo? “ Ndërkohë, propozimi i një deputeti që në nenin për ndëshkimin e nëpunësve që kapen duke luajtur bixhoz të përfshihen dhe deputetët, nuk gjen miratim dhe refuzohet. Seanca do të vijonte me diskutime të tjera e replika proceduriale duke sjellë ndërprerjen e saj për disa minuta, e në fund kur do të riniste seanca, nuk u bë dot shumica për shkak se shumë deputetë mungonin. Në këto kushte, 14 deputetë, mes të cilëve Sejfi Vllamasi, Sali Vuçiterni, Imzot Fan Noli, Hilë Mosi e Bedri Pejani do të dënoheshin me 10 franga ar gjobë për mungesë pa leje.  

Përpjekja e vitit 1927 për ndalimin e bixhozit  dhe frika e deputetëve shqiptarë për fenomenin amerikan të prohibicionizmit

Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme e ndalimit me ligj, bixhozi vijoi të ushtrohej në vitet e mëvonshme por më shumë sesa për ta ndalur atë, ajo që u diskutua në vitet e mëvonshme do të ishte më shumë vendosja nën kontroll e shitblerjes së letrave të bixhozit. Në vitin 1922 do të miratohej vendosja e monopolit shtetëror për letrat e shkrepëset, duke përfshirë në këtë ligj edhe letrat e lojës apo të bixhozit. Me kalimin e viteve bixhozi dhe tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme nëpër kafene e ambiente të tjera publike do të kthehej sërish në një problematikë serioze, aq sa në parlament do të shkonte një propozim konkret për ndalimin e të gjitha lojërave, të paktën në orarin e punës. Propozues i nismës do të ishte deputeti Hiqmet Delvina, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Bilbili i Zogut”. Projektligji parashikonte se dy ndëshkime; burgun dhe gjobën.[7]Luejtja e bixhozit për zbavitje ndër kafe ose në çdo vend publik ash e ndalueme prej lindje të diellit deri në ora 17 përveç ditëve të pushimit zyrtar. Bixhozi për zbavitje konsiderohet ç’do lojë si rom, taull, domino, kolçine, triomfo, konsollit, preff, skambil e të tjera qi nuk përmenden në këtë ligjë.  Kundravajtësit e patronët e lokaleve ashtu edhe ata qi ndihmojnë tue dhanun çë farë do lloje mjetesh loje dënohen me burgim prej 24 orëve deri në nji muej ose me 100 deri në 1000 franga ari gjobë. Në rast përsëritje dënohen me të dyja dënimet bashkë” shkruhej në projektligjin e depozituar në parlament.

Qendrimet e mbajtura në seancë plenare në vitin 1927

Propozuesi i nismës, Hiqmet Delvina, që më vonë do të bëhej ministër Drejtësie, argumenton nevojën e një nisme të tillë si një nevojë emergjente për t’i dhënë zgjidhje problematikës së braktisjes së vendit të punës jo vetëm nga popullata por edhe nga administrata publike. “Projekti mund t’ajurnohet, po fjala e jeme jo. Nji fjalë shqiptare thotë: “atje ku dhëmb dhambi, atje shkon gjuha” dhe edhe ata qi thonë se nuk e pranojnë, duket se i dhëmb dhambi. Unë këtë e baj në interesin e popullit, se due moralin t’ia naltësoj dhe atë kohë qi të shkojë tue lujtë t’a shkojë në punimin n’arë, në tregti e bujqësi. Kjo ashti qi më shtyen ta bëjë një proponim të tillë dhe në qoftë se kodi penal e përfshijnë këtë faj atëhere fajin nuk e kanë ligjet po ata qi nuk e zbatojnë. Në të gjithë Shqipnin edhe në kryeqytet, të gjithë ditën, mblidhen ndër vende antihygjenike njerëz të çdo klasi e tjetër s’bajnë veç të losin gjithfarë lojnash. Bulku në vend qi të livrojnë arën shkon e lot rem dhe në çdo katund, në çdo vend këjo lojë asht ba nji smundje ma e keqe se malaria e sifilisi. Si e dini populli duhet të mësohet me punue se nji popull që nuk punon ai popull nuk ka nji t’erdhme të mirë e se pa punë nji shtet nuk rron dot. Këto janë arsyet qi me shtrënguen të ju parashtroj këtë projektligj dhe në mos e pranoshi unë për vehten t’ime lajë duart se detyrën e bana” u shpreh Hiqmet Delvina ndërsa diskutohej nisma e propozuar prej tij. Pas dhënies së argumentit të parë nga propozuesi, nuk do të mungonin qendrimet alternative nga deputetët e tjerë, e madje edhe nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe. Shqetësimi që shprehej nga ana e deputetëve është se mos në Shqipëri mund të ndodhë ajo që po ndodhte me ndalimin e alkoolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deputeti Javer Hurshidi i Gjirokastrës e mbështet propozimin edhe pse evidenton se ai përmban disa të meta që mund të rregullohen ndërsa nisma do të shyqrtohet konkretisht në komisionet parlamentare. Ndërsa Bahri Begolli, deputeti i Kosovës evidenton faktin se nevojitet që të përcaktohet një orar se kur mund të lejohet të luhet, të paktën lojëra të zakonshme. Hiqmet Delvina: Zotnija e tij ka shëtitë Europën e ka qenë edhe në Vjenë dhe duhet t’a dije se atje ndër shumë kafehane, ka nji orë të caktueme për prehje. N’Amerikë nuk tajapin nji karrige kuer asht kohë pune. Kuer popujt e mdhaj e matë civilizuem e bajnë këtë, pse mos t’a bajmë edhe neve… Abdurraman Dibra, Ministër i Punëve të Brendshme: Bizhozi asht i ndaluem me ligje. Me këtë projekt edhe lojnat qi janë për zbatitje ndalohen, do me thane se liria personale kufizohet dhe si e dini, nji gja sa ma tepër kufizohet aq ma tepër abuzohet. Në asht se pranohet lutem qi të merret parasysh qi lojnat në kafehane do të shkojnë nëpër shpija dhe në qoftë se ndër kafehane luhet me niji kafe, në shtëpija do të luhet me të holla. Prandaj ne asht se do të pranohet i lutem komisionit të marrin para syshë këtë dhe ndalimin t’a bajnë në nji gradë ma të lehtë. Hiqmet Delvina: Zoti ministër i Punëve të Mrenshme thotë se kufizohet lirija personale. Këtë nuk e prisnje nga Zotnija e tij si ministër, si ministri I moralit e I edukationit. Këtu lirija personale nuk kufizohet e deri sa kjo liri të kufizohet në dam të vehtes së tij mund të këtë të drejtë po sot në Shtetet e civilizueme asht ndalue edhe suicidio! Këtu ska të bajë me kufizimin e liris, se ata qi losin tër ditën bixhoz janë kusar e në vend qi të punojnë vjedhin e grabisin të drejtën e shtetit e të fëmisë. Ndër ata shtete si Amerika ku lirija personale asht ma e madhe se ndër ne, kanë ndalue alkoholin. Kolë Mjeda: Jam pikërisht dakord me zotin Hiqmet Delvinën dhe e pranoj me disa kondita, se drue se po të ndalojmë lojnat nëpër kafenet mos të na bahen odat t’ona ku punojmë e salla e deputetvet, dhoma lojnash e bixhozit. N’Amerikë pija asht e ndalueme po duhet me dijtë se atje kushton me miliona dhe me gjithë se asht e ndalueme prap se prap shitet kontrabandë. Asht e vërtetë se lojnat binë dame të mdhaja në popull dhe kan ndodhë raste qi shumë kanë lanë shpinë pa bukë me luejt po unë kisha me kënë i mendimit qi lojnave me i vuem taksa të randa dhe kështu vetvetiu hiqen. Në asht se votohet me konditë qi lojnat ndalohen krejtësisht e nuk ndodhë nesër të mblidhen deputet e funkcionar nëpër shpija me luejtë letrash, atëhere e pranoi përndryshe nuk jam i mendimit t’i presim bukën atyne qi mbajnë kafe e rrojnë me këtë mjeshtri. Kam kenë n’Europë dhe e dijë edhe unë se n;Amerikë asht ndaluem pija po atje veshen njerzit me lastiku plot me raki dhe japing e shesin raki sikuer i jepet fëmivet cicë. Pra jam i mendimit t’ajurnohet. Fiqiri Rusi: S’kam aspak dyshim qi kolegu këtë proponim e ban me qëllim të mirë qi në popull të shtohet zelli i punës po duhet t’a dijë se ky projekt nuk I përmbushë dëshirat e tija se nji popull nuk punon tue i ndaluem zbavitjet e tija po kuer ka dëshirë të punojë. Po të ndalohen lojnat nëpër kafe, ai qi lot do të mbyllet me shokët e tij për shpija e do të jetë edhe ma keq. Prandej i lutem ta tërheqin këtë proponim edhe në qoftë se nuk refuzohet prej Dhomës të shkojë në komision e të mbesin atje. Sikuer Zotnija e tij të kishte paraqit nji proponim për ndalimin e alkoholit atë do t’a pranoshe me gëzim po ky projekt nuk e përmbushë qëllimin. Pas diskutimeve të mësipërme, seanca e nëntorit të vitit 1927 votoi me shumicë votash që projektligji t’i kalonte për diskutim në komisionet kuvendore e në fakt duket se pas këtij hapi nuk ka avancim të mëtejshëm të projektit. Hapat që ndërmerren janë kryesisht për kufizime, si në rastin e ligjit të vitit 1931 që ndlaonte kumarin dhe pijet alkoolike për ata që ishin nën moshën 18 vjeç.

Tentativa për monopolizimin e bixhozit në vitin 1933

Në një prej seancave të mbajtura në nëntor të 1933 do të diskutohej një projektmarrëveshje që ishte nënshkruar mes ministrit të Financave dhe një tregtari me banim në Durrës për ngritjen e një hotel të rangut të parë me kapacitet 100 dhoma fjetje me të gjithë kushtet e nevojshme, brenda të cilit të kishte një kazino të madhe, salla dëfrimi për ballo, një bar, një teatër dhe kinema. [8]Projekt koncesioni ishte lidhur mes zotit Kristaq Zagoridhi (tregtar) dhe ministrit të Financave Abdurrahman Dibra. Projekti ishte ambicioz e parashikonte ndërtimin e një resorti të ngjashëm me ato në MonteCarlo apo SanRemo. “Hoteli në fjalë do të ketë një gazino madhështore me salla dëfrimi për ballo, bar, theatro, cinema dhe për lloje të ndryshme siç janë në Sanremo, Montekarlo ku ushtrohen lojet roulette, trente, qarante, bacara, chemindefer, bulette e të tjera loje hazardi të kësaj dore. Hoteli do të zbukurohet rreth e përqark me lulishte e pemishte që do të kenë vende të posaçme për tenis e lojna të tjera të jashtme dhe për brinjë detit një banjo moderne me organizata të shëtitjeve me barka dhe të sporteve të tjera që mund të tërheqin të huajt e ta bëjnë plazhin e Durrësit një vend dëfrimi” shkruhej në projektkoncesionin e nënshkruar në tetor të vitit 1933 e që një muaj më vonë po diskutohej në sallën e parlamentit në parim. Marrëveshja parashikonte se qeveria shqiptare merrte përsipër që t’i akordonte koncesionarit të drejtë ekskluzive të ushtrimit të lojërave të fatit për një afat 33 vjeçar e të mos jepte asnjë koncesion e leje të tjera për këtë qëllim. “Është e nënkuptuar se e drejta ekskluzive i përket vetëm ushtrimit të lojnave të hazardit të ndryshëm” shkruhej në projekt-koncesionin që diskutohej në parlament. Marrëveshja ishte e detajuar e parashikonte ndër të tjera edhe stafin që do të punësohej. Kamarierët e krupierët e kazinosë do të merreshin të huaj. Mbi të ardhrat bruto të përvitshme të kazinosë koncesionari detyrohej të pagunte 10 % të të ardhurave. Shërbimi i brendshëm në kazino dhe tarifa e lojërave do të caktohej me anë të një rregulloreje të veçantë e cila do të kishte dhe pelqimin e qeverisë.  Projekt-koncesioni do të pranohej në parim në seancë plenare e do t’i referohej komisioneve parlamentare por nuk do të avancohej më shumë në këtë drejtim. Tentativë tjetër e njohur për ndalimin e bixhozit është edhe ajo e vitit 1937. Kjo është tentativa e fundit që bëhet deri në periudhën e regjimit komunist, ku për këtë shkelje, ndëshkimi ishte i ashpër.

Ndalimi i vitit 1937 dhe moszbatimi i tij

[9]Në vitin 1937, kryeministria do të vlerësonte nismën e Ministrisë së Brendshme për ndalimin e plotë të bixhozit për popullatën dhe nëpunësit. E në këto kushte, kryeministria shqiptare do t’u drejtonte një qarkore të gjitha ministrive dhe drejtorive të rëndësishme, deri edhe drejtorisë së Reformës Agrare,me të cilën kërkonte që t’i jepej urdhër i prerë të gjithë  nëpunësve që kishin në varësi qëtë mos luanin më bixhoz pasi po u kapën duke luajtur do të hetoheshin, nxirreshin para gjyqit e ndëshkoheshin sikurse parashikonte ligji. Kjo masë edhe pse do të vlerësohej pozitivisht nga shtypi i kohës, do të konsiderohej si e pamjaftueshme. Në numrin e prillit të vitit 1937, te “Përpjekja” e Branko Merxhanit shprehet shqetësimi se nisma e ministrisë së Brendshme për këtë qëllim “humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve” [10]Ministria e Brendshme ka ca kohë që merret edhe me probleme shoqërore të vendit dhe bile me një mënyrë shumë të kujdesshme. Një nga këto probleme është edhe bixhozi për të cilin ministria nxorri një masë të rreptë ndalonjëse për të vënë re. Por për fat të keq ky vendim i urtë nuk na bie shumë në sy aq sa duhej. Mbeti po thua i pavërejtur dhe humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve. Qarkorja përkatëse e ministris, në realitet prek një sëmundje shoqërore me rëndësi, sëmundje e cila në këto kohët e fundit kish filluar të çfaqte symptom të rrezikëshme. Dhe na rrëfen njëkohësisht edhe mënyrën e shërimit që gjeti qeveria për zhdukjen e kësaj plage. Nuk e dimë në se diagnoza u bë mirë apo jo dhe në se therapia që u caktua është pikërisht ajo që meritohej. Mirëpo një gjë është  pakundërshtuarshme: Interesimi i qeverisë për mbytjen e mikrobit të kumarit, mikrob i cili filloi të rritej dhe të fëlliq gjakun e shoqërisë s’onë. Bixhozi katandisi të bëhet po thua i vetmi mjet dëfrimi. U fut gjer në klasat e shkollave. Një arsimtar na rrëfente një ditë me një dhëmbje të pikëlluarshme se si zuri dy nxënës të tij duke lozur bixhoz në bangot e fundit të klasës mu në orët e mësimit” shkruhet në artikullin e “Përpjekjes” së Merxhanit. Më tej në artikull evidentohet se efekti i masave administrative është i vogël dhe se disiplinat negative nuk i shuajnë veset morale po vetëm i mbulojnë por nuk i zhdukin. “Edhe ndalimi i bixhozit kudo nuk është një masë e arsyeshme. Në disa vende të caktuara dhe të kontrolluarë mirë bixhozi duhet të lihet i lirë, sidomos nëpër disa qendra publike. Ndalimi mund të sjellë mbylljen e këtyre qendrave, dobia e të cilave nuk është e vogël. Por shërimi i plotë i kësaj sëmundje duhet gjetur nëpër fushat morale më të gjëra. Të krijohen ideale, emocione, okupime që frymëzojnë shije të thellë si dhe shkaqe dëfrimesh dhe gëzimesh më të lartë. T’afrojmë burimeve të jetës së vërtetë njerëzore, që fitohet vetëm rreth tryezës së punës mendore dhe që frymëzohet nga pasione të kulluarë që krijon arti” përfundon artikulli. Gjatë periudhës së pushtimit kundra bixhozit rezulton se nuk janë marrë masa ndëshkuese dhe se veprimtaria është ushtria lirisht, madje edhe në qendër të kryeqytetit, në ambient të hapur e publik. Gjatë regjimit komunist, bixhozi ishte i ndaluar rreptësisht por sërish nuk kanë munguar bastet ilegale apo lojëra të tjera të cilat në rastet që janë evidentuar, kanë sjellë burgosje afatgjata me këtë akuzë. [1] Kalendari Kombiar, viti 1926 faqe 93-94/Hylli i Drites, faqe 309-310 korrik 1923 [2]Raportim gazetaresk i vitit 1914 te “Përlindja e Shqipëniës” [3] 17-9 1921 seancë plenare/ Bisedim mbi federatën “Atdheu”/ Botime parlamentare 1920-1921, faqe 532 [4] Bisedimet e Këshillit Kombëtar/Bisedime Parlamentare 1922/2,  faqe 469 [5] Bisedimet e Këshillit Kombëtar/Bisedime Parlamentare 1922/2 [6] Bisedimet e Këshillit Kombëtar/Bisedime Parlamentare 1922/2,  faqe 469 [7] Bisedime parlamentare viti 1927//faqe 815-818 [8] Bisedime parlamentare, 1930-1933, faqe 1348-1352 [9] Hylli i Dritës, raportim i vitit 1937 [10] Revista “Përpjekja” prill 1937 Marrë nga emisioni DOSJA E në SCAN  

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat