Shqipëria Postuar më 26 Maj 2026, 14:24

Shqipëria, bashkëpunim me Austrinë për sfidat financiare/ Sejko: Në vëmendje kemi rreziqet që lidhen me digjitalizimin dhe sulmet kibernetike

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, bashkëpunim me Austrinë për sfidat financiare/

Banka e Shqipërisë do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Bankën e Austrisë në drejtim të ndarjes së eksperiencave dhe ekspertizës, por edhe në adresimin e rreziqeve të përbashkëta që mund të jenë sulmet kibernetike apo inteligjenca artificiale.

Me nisjen e transaksioneve në SEPA në tetor të vitit të kaluar dhe vënien në funksion të sistemit të pagesave të shpejta (instant payment) deri në fund të këtij viti, Shqipëria do i ketë arritur objektivat e saj kryesore për sa i përket sistemeve të pagesave u shpreh Guvernatori Gent Sejko.

Banka Kombëtare e Austrisë ka qenë gjithmonë një bankë qendrore që ka mbështetur, bashkëpunuar dhe ndihmuar jo vetëm Bankën e Shqipërisë, por edhe sektorin financiar dhe atë bankar në Shqipëri. Kemi shumë ndërlidhje dhe shumë korrelacion me ekonominë austriake dhe investimet e huaja direkte kanë qenë këtu një lojtar kyç në rritjen tonë ekonomike. Ne mezi presim të bashkëpunojmë me Bankën e Austrisë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se përveç rreziqeve tradicionale, që është rreziku i kreditimit, rreziku i likuiditetit, rreziku i tregut, të cilat i kemi nën vëmendjen tonë si mbikëqyrës dhe rregullatorë, rreziqet bashkëkohore ose rreziqet e kohës me të cilat po përballemi lidhen me digjitalizimin, me modernizimin e pagesave dhe në një farë mase me sulmet kibernetike”, tha Sejko.

Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë gjithashtu pohoi se sistemi bankar austriak është shumë i ngjashëm me atë shqiptar, sidomos për sa i përket ekspozimit të sektorit bankar në kredinë për prona.

Ekziston një traditë dhe bashkëpunim i gjatë midis rajonit, midis Shqipërisë dhe Austrisë. Mendoj se sistemet bankare në Austri dhe Shqipëri janë në të vërtetë mjaft të ngjashme, sektor bankar i fortë me ekspozim të ngjashëm krediti të kompanive dhe, sigurisht, në tregjet e pasurive të paluajtshme. Janë vendosur masa për të zvogëluar ekspozimin. Kur flasim për rrezikun financiar, mendoj se është e rëndësishme të shtojmë, dhe ju e përmendët shkurtimisht, Guvernator, se një gjë janë rreziqet tradicionale financiare me të cilat po përballemi të gjithë, dhe me të cilat ne, mendoj, si institucione mbikëqyrëse dimë të merremi, dhe bankat gjithashtu dinë të merren. Gjë tjetër janë rreziqet që rrjedhin nga sulmet kibernetike, nga inteligjenca artificiale, nga mundësitë digjitale që nuk kanë qenë të pranishme 5 ose 10 vjet më parë”, tha Martin Kocher, Guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë.

Në kaudër të antëarësimit në Bashkimin Evropian, Banka e Shqipërisë po përafron ligjin e bankave, atë të pagesave, të vetë Bankës Qendrore dhe ligje të tjera me ato të Bashkimit Evropian. Guvernatori austriak u shpreh se të njëjtin proces ka ndjekur edhe Austria para anëtarësimit, ndërsa pas anëtarësimit përfitimet ishin shumë të mëdha në terma të rrijes së fitimit dhe zgjerimit të kompanive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat