Bota e kinemasë në 2025 - Nga politikat e Trump mbi industrinë, te filmat më të suksesshëm të vitit

Nga njoftimi i Presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi tarifa për të gjithë filmat e prodhuar jashtë vendit, deri te suksesi marramendës i “Kpop Demon Hunters” në Netflix që u shndërrua në fenomen kulturor, viti 2025 solli shumë tituj nga bota e kinemasë.
Pas kërcënimeve tarifore të Trump, industria globale e filmit po përjeton një periudhë të trazuar, ndërsa politikat tregtare dhe tensionet kulturore po i japin formë një realiteti të ri ndërkombëtar. Hollivudi ndodhet në një pikë kthese, ku arti përplaset me interesat politikë dhe ekonomikë.
Megjithatë, skena botërore e filmit vazhdon të lulëzojë përmes festivaleve të mëdha, çmimeve prestigjioze dhe prodhimeve rekord. Jo vetëm kaq; industria po hedh sytë përpara me projekte madhore që sfidojnë kufijtë artistikë dhe teknologjikë, duke premtuar një dekadë të re të inovacionit kinematografik.
Politikat tregtare dhe ndikimi në industrinë e filmit
Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump u shpreh se do të vendosë një tarifë 100% për të gjithë filmat e prodhuar jashtë vendit që më pas dërgohen në SHBA, një kërcënim që e tha dy herë këtë vit dhe që do të ndryshonte modelin global të biznesit të Hollivudit.
Ky hap sinjalizon gatishmërinë e liderit amerikan për të zgjeruar politikat tregtare proteksioniste edhe në industrinë kulturore, duke krijuar pasiguri për studiot që varen shumë nga bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe të ardhurat nga jashtë.
“Biznesi ynë i filmit u është vjedhur Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga vende të tjera, njëlloj si të vjedhësh karamele nga një foshnje,” është shprehur Trump.
Thirrja fillestare për tarifa tronditi botën e filmit dhe ndaloi përkohësisht projektet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të financimit, teksa producentët vlerësuan ndikimin e mundshëm të masave mbi qëndrueshmërinë financiare.
Filmat modernë shpesh i shpërndajnë prodhimin, financimin, post-produksionin dhe efektet vizuale në disa shtete. Pas njoftimit në maj, një koalicion i sindikatave amerikane i dërgoi një letër Trump, ku i kërkonte stimuj fiskalë për prodhimin e filmave në vend. Kjo paketë synon kthimin e më shumë projekteve të televizionit në SHBA.
Industria amerikane e filmit regjistroi një tepricë tregtare prej 15.3 miliardë dollarësh në vitin 2023, e mbështetur nga 22.6 miliardë dollarë eksporte në tregjet ndërkombëtare.
Hollivudi ka krijuar gjithmonë e më shumë varësi nga qendrat e prodhimit jashtë vendit, si Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, ku stimujt fiskalë kanë tërhequr xhirime me buxhete të mëdha.
Njëkohësisht, bashkëprodhimet me studio të huaja janë bërë më të zakonshme, veçanërisht në Azi dhe Evropë, ku partnerët vendas ofrojnë financim, akses në tregje dhe rrjete shpërndarjeje.
Drejtuesit e industrisë gjithashtu paralajmërojnë se një tarifë e gjerë mund të ndikojë mbi mijëra punonjës amerikanë të angazhuar në xhirime jashtë vendit, nga artistët e efekteve vizuale deri te ekuipazhet e prodhimit, të cilët punojnë shpesh në koordinim ndërmjet disa shteteve.
Çmimet “Oscar”
“Anora”, historia e një punonjëseje seksi nga Nju Jorku, që nis një jetë të re kur martohet me një klient të pasur rus, dominoi Çmimet e Akademisë. Produksioni fitoi pesë Çmime “Oscar”, duke përfshirë vlerësimin për filmin më të mirë. Përveç kësaj, regjisori Sean Baker u shpall fitues për regjinë më të mirë, skenarin origjinal dhe editimin, duke barazuar rekordin e Walt Disney për më shumë “Oscar” të fituar nga një individ në një vit. Disney fitoi për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.
Ylli i filmit, Mikey Madison, u shpall aktorja më e mirë. Ajo befasoi Demi Moore, e cila ishte favorite për të fituar me rolin e saj në “The Substance”.
Ndërkohë, Adrien Brody fitoi Oscar-in e tij të dytë për aktorin më të mirë me rolin e një emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”.
Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë ndihmëse për rolin e saj në “Emilia Perez,” një film muzikal në gjuhën spanjolle. Saldana kishte fituar shumë çmime për këtë rol në ceremoni të tjera.
Ndërsa Kieran Culkin u vlerësua si aktori më i mirë ndihmës për rolin e tij si një nga dy kushërinjtë që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.
Filmat më të suksesshëm
Filmi i animuar kinez “Ne Zha 2” ishte prodhimi me të ardhurat më të larta të vitit, duke arkëtuar 1.9 miliardë dollarë në mbarë botën. Historia e një djali mitik me fuqi magjike dhe aftësi të jashtëzakonshme në artet marciale u bë gjithashtu produksioni me arkëtimet më të larta në Kinë.
“Ne Zha 2” është vazhdimi i suksesit të vitit 2019 “Ne Zha”. Filmat janë bazuar në romanin klasik kinez të shekullit XVI, “Investiture of the Gods”.
Rivendosja me aktorë realë e “Lilo & Stitch”, u rendit në vendin e dytë me rreth 1.04 miliardë dollarë të arkëtuara globalisht. Ashtu si filmi origjinal, edhe ky version tregon historinë e një vajze të vogël nga Hawaii, Lilo, e cila miqësohet me një alien të arratisur që bie në Tokë.
Pesëshen e filmave më fitimprurës e plotësuan “A Minecraft Movie”, me 958 milionë dollarë; “Zootopia 2”, me 918 milionë dollarë dhe “Jurassic World: Rebirth”, që fitoi 869 milionë dollarë.
Në vendin e gjashtë u rendit “Demon Slayer: Kimetsu no Yaiba – Infinity Castle”, me të ardhura prej 769 milionë dollarësh.
Një tjetër përshtatje me aktorë realë, “How to Train Your Dragon”, arkëtoi 636 milionë dollarë nga shitja e biletave, ndërsa “F1: The Movie” u bë filmi me të ardhurat më të larta në karrierën e aktorit Brad Pitt, duke grumbulluar mbi 632 milionë dollarë.
“Superman” u rendit në vendin e nëntë me 617 milionë dollarë, ndërsa dhjetëshen e mbylli paraqitja më e fundit e Tom Cruise në “Mission: Impossible – The Final Reckoning”, që arkëtoi 599 milionë dollarë.
Filmi i animuar “KPop Demon Hunters” u bë një hit i jashtëzakonshëm në Netflix dhe një fenomen kulturor. Historia e një grupi të suksesshëm vajzash K-pop, që mbajnë koncerte gjigante ndërsa përpiqen të shpëtojnë botën nga forcat e errëta, pati sukses të menjëhershëm. Vepra ka tejkaluar 325 milionë shikime, duke e bërë atë filmin origjinal më të ndjekur të Netflix.
Kolona e saj zanore ka marrë certifikimin “platinum” dhe kënga kryesore “Golden” ka arritur vendin e parë në Billboard Hot 100. Filmi ka frymëzuar një valë të pandërprerë veshjesh dhe sfidash kërcimi në rrjetet sociale.
Jamie Lee Curtis dhe Lindsay Lohan u rikthyen te rolet e tyre të “Freaky Friday” në vazhdimin “Freakier Friday”. Komedia e Disney vijon me historinë e marrëdhënies komplekse mes nënës dhe vajzës, pas suksesit të vitit 2003. Filmi mori vlerësime pozitive nga kritikët dhe fitoi mbi 153 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej 42–45 milionë dollarësh.
“Downton Abbey” përfundoi serinë me filmin e tretë dhe të fundit, 15 vjet pas fillimit të serialit televiziv në 2010. “Downton Abbey: The Grand Finale”, ndjek familjen Crawley dhe shërbëtorët e saj në vitet 1930, me patriarkun Robert, gati t’ia dorëzojë kontrollin bijës së tij.
“Wicked: For Good” vendosi një rekord me përshtatjen filmike të një muzikali të Broadway, duke arritur në 150 milionë dollarë në SHBA dhe Kanada gjatë fundjavës së hapjes.
Festivalet dhe çmimet ndërkombëtare
Thrilleri i hakmarrjes “It Was Just An Accident” nga regjisori iranian Jafar Panahi, i cili e kishte të ndaluar të filmonte për 15 vjet nga qeveria e Teheranit, fitoi çmimin e madh Palme d’Or në Festivalin e Filmit në Kanë.
Me këtë çmim, Panahi arrin të marrë vlerësimet kryesore në tre festivalet më të mëdha evropiane, pas Golden Bear të Berlinit për “Taxi” në 2015 dhe Golden Lion në Venecia për “The Circle” në vitin 2000. Regjisori 65-vjeçar ua dedikoi çmimin të gjithë iranianëve, duke theksuar se gjëja më e rëndësishme ishte Irani dhe liria e tij.
Në Festivalin e Filmit në Venecia, regjisori amerikan Jim Jarmusch fitoi në mënyrë surprizuese Golden Lion me produksionin “Father Mother Sister Brother”, një meditim në tre pjesë mbi marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve të tyre të rritur.
Ndërsa filmi “The Voice of Hind Rajab” i tunizianes Kaouther Ben Hania u rendit në vendin e dytë. Vepra përdor audio reale të një vajze 5-vjeçare palestineze që vritet gjatë luftës në Gaza dhe u prit me duartrokitje 24-minutëshe gjatë premierës.
Zhgënjime dhe polemika
Megjithatë, nuk kanë munguar zhgënjimet gjatë këtij viti. “Snow White” e Disney u përfshi nga polemikat që e vendosën versionin e ri të përrallës klasike të Borëbardhës në qendër të luftës kulturore.
Projekti, me një buxhet rreth 270 milionë dollarë, u bë pjesë e debateve amerikane rreth racës, zgjedhjeve të vitit 2024 dhe konfliktit Izrael–Palestinë. Po ashtu, filmi hasi reagime negative për zgjedhjen e një aktoreje me ngjyrë në rolin kryesor. Protagonistja Rachel Zegler e shtoi polemikën kur publikoi postime në Instagram pas zgjedhjeve të vitit 2024, duke kritikuar ata që votuan për presidentin.
Ndërsa aktorja me origjinë izraelite, Gal Gadot, që luan mbretëreshën në film, provokoi thirrje për bojkot pas komenteve pro-Izraelit. Ndërkohë, Zegler është shprehur haptazi pro-Palestinës në platformën X, duke tensionuar më tej situatën. Filmi arkëtoi rreth 205 milionë dollarë.
Po ashtu, studioja e animacionit Pixar e Walt Disney regjistroi rezultatin më të dobët në historinë 30-vjeçare me premierën e filmit “Elio”. Ky film ndjek historinë e një djali të vetmuar 11-vjeçar, Elio Solis, i cili pa dashur bëhet ambasadori ndërgalaktik i Tokës pasi dërgohet në një planet të quajtur “Communiverse”.
Edhe pse “Elio” mori një vlerësim pozitiv prej 83% në Rotten Tomatoes, ai fitoi vetëm 20 milionë dollarë në SHBA dhe 34 milionë në tregjet ndërkombëtare gjatë fundjavës së parë. Filmi kishte një buxhet prej 150 milionë dollarësh. Deri në fillim të dhjetorit, të ardhurat totale arritën në 154 milionë dollarë.
Aktori i mirënjohur Robert De Niro, i cili luan dy personazhe kryesore në “Alto Knights”, nuk arriti të tërhiqte një publik të gjerë, pasi filmi grumbulloi vetëm 10 milionë dollarë. I bazuar në ngjarje të vërteta, filmi me një buxhet prej rreth 45 milionë dollarësh zhvillohet në Nju Jorkun e viteve 1950, ku De Niro interpreton dy bosë rivalë të mafies italo-amerikane, Frank Costello dhe Vito Genovese.
Thrilleri psikologjik i The Weeknd, “Hurry Up Tomorrow”, i frymëzuar nga përvoja personale e këngëtarit kur humbi zërin gjatë një koncerti “live”, gjithashtu nuk pati sukses. Me një buxhet prej 15 milionë dollarësh, filmi fitoi vetëm 7.8 milionë dollarë.
Produksioni “Western” i Alec Baldwin, i titulluar “Rust”, u shoqërua me një reagim të zbehtë pothuajse katër vjet pas vdekjes së kinematografes Halyna Hutchins, e cila u qëllua aksidentalisht nga Baldwin në setin e filmit në tetor 2021.
Plumbi ishte vendosur gabimisht nga përgjegjësja kryesore e armëve të filmit, Hannah Gutierrez, e cila u dënua për vrasje pa dashje në mars 2024 dhe u lirua me kusht në maj. Baldwin gjithashtu u përball me sistemin gjyqësor, por një gjykatës në New Mexico hodhi poshtë akuzat ndaj tij.
Projekte të ardhshme
Denis Villeneuve, i nominuar për “Oscar”, u shpall regjisor i filmit të ardhshëm të James Bond, duke marrë drejtimin e një prej agjentëve më enigmatikë të Hollivudit dhe një prej serive më jetëgjata filmike. Regjisori dhe skenaristi kanadez njihet për filma si “Sicario”, “Dune”, “Dune: Part Two”, “Blade Runner 2049” dhe “Arrival”.
Filmi i ardhshëm me James Bond do të jetë i pari nën prodhimin e Amazon’s MGM Studios, që mori kontrollin e sagës këtë vit përmes një sipërmarrjeje të përbashkët me zotëruesit afatgjatë të të drejtave, Michael Wilson dhe Barbara Broccoli. Produksioni ende nuk ka emëruar aktorin kryesor pas largimit të Daniel Craig në 2021. Filmi i ardhshëm i Bond do të realizohet nga producentët Amy Pascal dhe David Heyman.
Sony Pictures njoftoi se historia e “The Beatles” do të tregohet përmes katër filmave që do të publikohen në prill 2028, secili nga perspektiva e njërit prej anëtarëve të grupit. Regjisori Sam Mendes zbuloi trupën e aktorëve: Paul Mescal do të luajë Paul McCartney, Harris Dickinson do të portretizojë John Lennon, ndërsa Barry Keoghan dhe Joseph Quinn do të jenë përkatësisht Ringo Starr dhe George Harrison.
Filmat do të publikohen “afër njëri-tjetrit”, sipas Mendes, që e përshkroi si “eksperiencën e parë të filmave që mund të shijohen si maratonë në kinema.”
Meghan Markle po i rikthehet aktrimit me rolin në filmin “Close Personal Friends”. Pjesë e këtij produksioni do të jenë edhe Lilly Collins, Brie Larson dhe Henry Golding. Roli i fundit i Markle ishte në serialin televiziv “Suits” para se të martohej me princin Harry në 2018.
Po ashtu, këtë vit ka nisur prodhimi i serialit të ri televiziv “Harry Potter” në studiot e Warner Bros. në Leavesden, në veri të Londrës. HBO publikoi një foto të aktorit 11-vjeçar skocez, Dominic McLaughlin, të veshur me syzet karakteristike të magjistarit të ri dhe uniformën e Hoguortsit, duke xhiruar skenën e parë të episodit të parë. Pjesë e tre protagonistëve janë edhe Arabella Stanton si Hermione Granger dhe Alastair Stout në rolin e Ron Weasley. Warner Bros. Discovery e shpalli serialin në prill 2023 si pjesë e planeve për platformën Max, që bashkon HBO Max me programet e Discovery.
Ashtu si filmat e suksesshëm me protagonist Daniel Radcliffe, që fituan 7.7 miliardë dollarë globalisht nga 2001 deri në 2011, seriali bazohet në librat e autores J.K. Rowling, e cila është një nga producentet ekzekutive.
Seriali ka një trupë të re aktorësh, që përfshin John Lithgow si drejtuesin e shkollës Albus Dumbledore, Nick Frost si rojtarin e Hoguortsit Rubeus Hagrid dhe Paapa Essiedu do të luajë profesorin Severus Snape.
Çdo sezon do t’i kushtohet njërit prej librave të Rowling. Seriali pritet të shfaqet në vitin 2027 dhe planifikohet të shtrihet përgjatë 10 viteve.
Një botë në luftë - Konfliktet që “tronditën” globin në vitin 2025
Vitet e fundit kanë shënuar një seri konfliktesh me intensitet të lartë dhe me ndikim të gjerë global. Në vitin 2025, luftërat në Ukrainë, Gaza dhe Sudan......
Nga ulja e çmimit, te thatësira - Çfarë e shënoi sektorin energjetik në 2025-ën
Viti 2025 ishte i mbushur me zhvillime për sektorin energjetik. Çmimi i energjisë për një pjesë të mirë të familjeve u ul, investimet në energji diellore u......
Bota në vitin 2026 – BE-Britani afrohen më shumë, Trump dhe Xi forcojnë pozitat
Kjo është bota e Donald Trump, ndërsa të gjithë ne thjesht po jetojmë në të. Krye-përçarësi ishte faktori më i madh që formësoi çështjet globale në vitin......
Sa paguajnë shqiptarët mesatarisht për një biletë kinemaje? Me 8.49 dollarë, vendi ynë mbetet ndër më të përballueshmit në Europë
Në një realitet gjithnjë e më të dominuar nga ekranet e vogla dhe platformat online, kinemaja mbetet një nga format më të plota të argëtimit dhe kulturës,......
“Mbrojtja 2025”, mes sfidave dhe objektivave - Investime në burime njerëzore, armatim dhe logjistikë
“Viti 2025 ishte një vit i ngarkuar për mbrojtjen: buxhet më i lartë se një vit më parë, projekte të reja, ringritje e industrisë ushtarake dhe nisma për......
Një vit sport - Shqipëria siguron “play off”-in për në botëror
Me një fitore minimale 0-1 ndaj Andorrës, Shqipëria siguroi për herë të parë në histori fazën “play off” të Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe......
A mund të konkurrojnë bizneset shqiptare në tregun europian? - Nga legjislacioni te teknologjia, rruga që i pret sipërmarrjet drejt BE-së
“Teksa Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Europian, pyetja lind nëse bizneset shqiptare janë gati për këtë treg sfidues?” Alban Zusi......
Shqipëria “zhduk” lekun letër? - Cili është plani i qeverisë për zvogëlimin e pagesave me para në dorë?
“Deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë “cashless”, pra që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Kjo është......


