Shqipëria Postuar më 26 Korrik 2024, 13:08

Sa u kushtoi qytetarëve blerja e mallrave të akcizës? - Brace: Në 11 vite, rreth 55 mln euro të paguara vetëm për markimin e karburanteve

Nga SCAN TV
Sa u kushtoi qytetarëve blerja e mallrave të akcizës? - Brace:

Ledina Elezi/SCAN

Rreth 4 milionë euro në vit u ka kushtuar qytetarëve blerja e produkteve të akcizës me pulla fiskale dhe 5 milionë euro për markimin e karburanteve. Gjatë diskutimeve në seancën plenare të projektligjit për akcizat, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, theksoi kostot që ka pasur koncensioni i pullave fiskale dhe ai i markimit të karburanteve në xhepat e qytetarëve.

“Qytetarët kanë paguar 4 milionë euro në vit dhe në 11 vjet 44 milionë euro për produktet e akcizës me pulla fiskale. Praktikisht, ne kemi pullën fiskale më të shtrenjtë në të gjithë botën. Për markimin e karburanteve, qytetarët kanë paguar nga xhepat e tyre 5 milionë euro në vit dhe në 11 vjet kanë paguar 55 milionë euro. Pra në total janë 99 mln euro të paguara nga qytetarët e Shqipërisë, sa herë kanë blerë produkte akcize që kanë pasur pullën fiskale dhe karburante.”

Në Shqipëri kemi një çmim mesatar rekord prej 24 eurosh të pullave fiskale, ndërkohë që mesatarja e vendeve të tjera dhe ajo e Bashkimit Evropian është 3 euro, u shpreh Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave Ervin Mete, theksoi se kalimi i këtyre shërbimeve nën administrimin e shtetit, do të shoqërohet me heqje ose redukim të tarifës.

“Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit.”

Muajin e ardhshëm do të përfundojë koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërsa nga 1 janari i vitit 2025 pullat fiskale do të jenë monopol shtetëror.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat