Shqipëria Postuar më 26 Korrik 2024, 12:02

136.2 mln euro grant për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit - Firmoset marrëveshja, punimet për rehabilitimin e linjës do të nisin në vitin 2025

Nga SCAN TV
136.2 mln euro grant për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit - Firmoset

Ola Mitre/SCAN

136.2 mln euro është vlera e grantit të dhënë nga Bashkimi Evropian për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga Ministri i Financave Ervin Mete, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe shefja e BERZH-it në Shqipëri Ekatarina Solovova, të cilët e konsideruan ndërtimin e kësaj linje hekurdhore si tejet të rëndësishme për transportin e qytetarëve dhe mallrave, zhvillimin e turizmit, si dhe në drejtim të dekarbonizimit.

“Është granti më i madh i akorduar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për një projekt investimi në Shqipëri. Duke i shtuar edhe grantin për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, shuma totale e granteve të akorduara nga institucionet e BE-së për investime në infrastrukturë pritet të arrije në mbi 200 milionë Euro”, - tha Mete.

“Lidhja e njerëzve është në thelb të idesë evropiane. Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë. Ajo do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të linjës së re. Projekti mbështet tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, duke e bërë hekurudhën një mënyrë transporti më efikase dhe më miqësore ndaj klimës”, - tha ambasadori Silvio Gonzato.

“Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme”, - tha Ekatarina Solovova, Shefe e BERZH-it në Shqipëri.

Kosto totale për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore është 373 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 100 milionë euro dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, prej 98.75 milionë euro. Ndërkohë që, 62.9 mln euro do të financohen nga qeveria shqiptare. Nënshkrimi i grantit të BE-së përmbyll strukturën financiare të projektit, teksa punimet pritet të nisin në vitin 2025 dhe të përfundonë në vitin 2030. Investimi do t’i mundësojë Hekurudhës Shqiptare të elektrifikojë më shumë se 120 km binarë dhe të rinovojnë 12 stacione treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe përmirësime të sigurisë. Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat