Europa Postuar më 26 Korrik 2024, 12:30

Përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale - Irlandë, qendrat e të dhënave konsumojnë më shumë energji se banesat

Nga SCAN TV
Përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale - Irlandë,

Dorina Kurtaj /SCAN

Ishte vetëm cështje kohe dhe ajo kohë ka ardhur. Viti 2023 ishte viti në të cilin për herë të parë në histori konsumi i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave tejkaloi atë të të gjitha banesave të vendit së bashku. Kjo ka ndodhur në Irlandë dhe të dhënat janë konfirmuar dhe nga Zyra e statistikave qendrore të Dublinit.

Google, selia europiane e të cilit ndodhet në Irlandë, konfirmoi disa ditë më parë se qendrat e saj e të dhënave ishin përgjegjëse për një rritje prej 48% në emetimet totale të gazeve serë në krahasim me vitin 2019.

Teknologjia e lartë dhe arritjet e saj kursejnë në masë të madhe tonelata letre dhe parandalojnë, proporcionalisht, prerjen e pemëve për prodhimin e produktit në fjalë. Dhe kjo kontribuon pozitivisht në procesin e arritjes së synimeve klimatike për reduktimin e ndotësve në planet, të paktën nga njëra anë. Nga ana tjetër, megjithatë, kjo industri konsumon sasi të mëdha energjie, duke emetuar ndotës të gazit serë, si në rastin e qendrave të të dhënave të Irlandës.

Sipas statistikave, këto qendra përdorin më shumë energji se të gjitha banesat urbane të vendit së bashku, duke rrezikuar arritjen e synimeve klimatike. Konkretisht, numri në rritje i qendrave të të dhënave në vitin 2023 përdori 21% të totalit të energjisë elektrike, një rritje me pesë herë më shumë në krahasim me sasinë në vitin 2022, sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Irlandës. Për vitin e parë, qendrat e të dhënave, të cilat mbështesin Irlandën si një qendër ndërkombëtare të teknologjisë së lartë, tejkaluan në kërkesën për energji atë të shtëpive. Këto të fundit konsumuan 18% të energjisë totale të rrjetit kombëtar në vitin 2023.

Ekspertët nuk kanë hezituar të shprehin shqetësimin se rritja e papritur e konsumit të energjisë, e cila vjen nga qendrat e të dhënave, mund të prishë objektivat klimatike për të frenuar emetimet e gazeve serë në Irlandë dhe në të gjithë Kontinentin e Vjetër.

Një rritje e kërkesës për përpunim të të dhënave, e nxitur nga përparimet e fundit në inteligjencën artificiale, mund të bëjë që qendrat e të dhënave të Irlandës të konsumojnë rreth 31% të energjisë elektrike të Irlandës brenda tre viteve të ardhshme, sipas parashikimeve nga Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës së vendit. Rrjedhimisht, një zhvillim i tillë do të eklipsonte kërkesën për energji elektrike nga familjet irlandeze urbane dhe rurale, të cilat së bashku përbënin 28% të kërkesës totale për energji elektrike në vitin 2023, sipas shifrave.

Përveç kësaj, mbikonsumimi i qendrave të të dhënave do të ushtronte presione mbytëse mbi konglomeratet e teknologjisë së lartë për të investuar edhe më shumë në ndërtimin e burimeve të tyre të rinovueshme të energjisë dhe, në fakt, për të mbuluar nevojat e tyre për furnizim.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat