Europa Postuar më 18 Dhjetor 2023, 10:01

Sa kursejnë familjet europiane? - Greqia dhe Polonia janë vendet që kursejnë më pak, ose thuajse asgjë

Nga SCAN TV
Sa kursejnë familjet europiane? - Greqia dhe Polonia janë vendet

Kostoja e lartë e jetesës vazhdon të godasë familjet europiane. Në vitin 2022, familjet e Bashkimit Europian kursyen pothuajse një të tetën e të ardhurave të tyre të disponueshme, ose rreth 12.7%, një shumë më e vogël se sa kursyen në vitin 2021. Shumica e qytetarëve europianë kursejnë mbi të gjitha për “masë paraprake” dhe “për daljen në pension”.

Të ardhurat e disponueshme të familjes janë shuma që familjet kanë në dispozicion pas pagesës së taksave. Norma e kursimeve të familjeve përcaktohet nga Eurostat, zyra zyrtare e statistikave të BE-së, si kursimet bruto të familjeve të ndara me të ardhurat bruto të disponueshme.

Sipas Eurostat, në vitin 2022 norma bruto e kursimeve të familjeve varionte nga -4% në Greqi në 19.9% në Gjermani. Shtatë vende të BE-së kishin norma të kursimeve familjare mbi 15%. Gjermania pasohet nga Holanda me 19.4%, Luksemburgu 18.1% dhe Franca 17.1%. Këto vende kanë mundur të kursejnë më shumë sepse familjet kanë të ardhura më të larta të disponueshme.

Greqia -4% dhe Polonia -0.8% shënuan norma negative të kursimeve të familjeve. Kjo tregon se familjet në këto dy vende shpenzonin më shumë se të ardhurat bruto të disponueshme të familjeve të tyre. Këto të dhëna sugjerojnë se qytetarët kanë përdorur kursimet e akumuluara në periudhat e mëparshme ose kanë marrë kredi për të financuar shpenzimet e tyre. Dymbëdhjetë anëtarë të BE-së, përfshirë Greqinë dhe Poloninë, regjistruan norma kursimi nën 10% në 2022. Nuk ka një ndarje të fortë midis rajoneve të ndryshme të Europës. Vetëm tre vende baltike kanë norma më të ulëta, nën 5%.

Nëse studiohen shifrat dhe jo normat, kursimet bruto për frymë të familjeve në BE ishin 2.723 euro në 2022, me variacione nga -523 euro në Greqi në 8.136 euro në Luksemburg. Zvicra, një vend i EFTA-s, regjistroi kursimet më të larta të familjeve për frymë me 13.676 euro. Përveç Luksemburgut, kursimet e familjeve për frymë ishin mbi 4.000 euro në disa vende: Gjermani, Holandë, Austri, Suedi, Francë, Norvegji dhe Danimarkë.

Megjithatë, kursimet e familjeve ishin më pak se 1000 euro në shtatë vende anëtare të BE-së, ndër të cilat Greqia dhe Polonia shënuan vlera negative.

Duke parë dy dekadat e fundit, normat e kursimeve të familjeve në BE dhe eurozonë u rritën ndjeshëm gjatë pandemisë COVID-19, veçanërisht në 2020 dhe 2021. Shkalla e kursimit në BE mbeti relativisht e qëndrueshme midis 11.6% dhe 13.5% nga 2002 në 2019.

Një arsye pse kursimet janë rritur ndjeshëm gjatë krizës së COVID-19 është se disa mundësi për shpenzimet e konsumatorëve kanë qenë të kufizuara. Këto përfshijnë argëtimin dhe udhëtimin. Sipas Eurostat, ky fenomen ishte veçanërisht i dukshëm në vitin 2020.

Hulumtimet sugjerojnë gjithashtu se normat e kursimeve të familjeve mund të rriten gjatë kohërave të pasigurisë ekonomike, pasi familjet priren të kursejnë më shumë kur rreziku i humbjes së punës rritet, duke shtyrë shpenzimet për mallra dhe shërbime jo thelbësore.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat