Shqipëria Postuar më 16 Gusht 2023, 15:21

Sa i kushtoi një vend pune shtetit? - Nga programet e punësimit u integruan në treg 491 punëkërkues

Nga SCAN TV
Sa i kushtoi një vend pune shtetit? - Nga programet e punësimit u

Prej vitesh qeveria ka vendosur fonde në dispozicion për nxitjen e punësimit të cilat përfitohen nga biznese me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës. Por sa para janë dhënë gjatë vitit që lamë pas dhe sa efikase ka rezultuar kjo praktikë? Referuar të dhënave të pasqyruara në raportin për Ndihmën Shtetërore 2022,  rezulton se për programin e punësimit u planifikuan  25.6 milionë lekë, nga të cilat  u  realizuan 23 milionë lekë ose 90% e fondit të planifikuar.

Raporti citon se nëpërmjet këtij programi kanë përfituar gjithsej 96  subjekte,  të cilët kanë    punësuar  në total 136  punëkërkues të papunë.  Pra e thënë ndryshe,  shtetit i ka kushtuar një punonjës mesatarisht 169 mijë lekë në vit.

Ndërkohë duke marrë në konsideratë numrin total të subjekteve përfituese, rezulton se një biznes ka punësuar mesatarisht  1.5 persona në vit.  Ky program financon kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të punësuarin deri në një vit si dhe pagën minimale për një periudhë kohe maksimale deri në 4 muaj.

Nga ana tjetër janë dhënë fonde edhe për trajnimin e të rinjve, ku përmes programit të formimit nëpërmjet punës, janë shpenzuar 5.6 milionë lekë, ku kanë përfituar gjithsej 35 subjekte, të cilët kanë punësuar 63 punëkërkues të papunë.

Ndërsa përmes programit të praktikave profesionale në biznese, janë disbursuar 15.7 milionë dhe i kanë përfituar gjithsej 85 subjekte, të cilët kanë punësuar 292 punëkërkues të papunë.

Të gjitha programet e punësimit të marra së bashku, të aplikuara gjatë vitit që kaloi kapin një vlerë prej rreth 44.3 milionë lekësh dhe kanë punësuar në total 491 punëkërkues të papunë. Nëse do ta përkthenim në kosto mestarë për punonjës, rezulton rreth 88 mijë lekë për një vit.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat