Shqipëria Postuar më 16 Gusht 2023, 15:18

Norma konkurruese, depozitat me afat rriten 11% - Sistemi bankar rrit interesat. Në treg paketa 3% në vit në lek, në euro 2.5%

Nga SCAN TV
Norma konkurruese, depozitat me afat rriten 11% -  Sistemi bankar rrit

Gjashtëmujori i parë i këtij viti ka forcuar tendencën e individëve e bizneseve drejt depozitave me afate të gjata. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, depozitat pa afat shënuan një ngadalësim në 8.4% të normave të rritjes, ndërsa ato me afat vijuan rritjen dyshifrore me 11.1%.

Raporti i këtyre të fundit ndaj depozitave totale arriti 41.5% ose 1.5 pikë përqindje më shumë se në fund të vitit 2022. Ndërkohë, tremujori i dytë është karakterizuar nga një përmirësim më i fortë i depozitave të bizneseve krahasuar me ato të individëve, duke reflektuar gjendjen e mirë të likuiditetit dhe në përgjithësi përmirësimin e gjendjes financiare të tyre.

Depozitat e bankave janë rritur me norma të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë. Kështu në krahasim më një vit më parë ato ishin rreth 9.5% më të larta, ose 0.5 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e parë. Depozitat në valutë kanë dhënë kontributin kryesor në këtë zgjerim, por paralelisht në përmirësim kanë qenë edhe depozitat në lekë. Kështu, normat vjetore të rritjes së depozitave në valutë dhe atyre në lekë shënuan përmirësim në 15.9% dhe me 2.6% përkatësisht.

Tabloja e zhvillimeve sipas monedhave ka mbetur e pandryshuar për më shumë se një vit, e ndikuar nga prania e lartë e fondeve valutore që depozitohen në banka. Nga ana tjetër, nivelet e moderuara të rritjes së depozitave në lekë reflektojnë si konsolidimin fiskal ashtu dhe rritjen e preferencës për të investuar kursimet në letra me vlerë të qeverisë.

Tenndencë që po ndryshon muajt e fundit, pasi disa prej bankave kanë dalë në treg me paketa mjaft konkurruese depozitash. Bankat nuk reaguan ndaj rritjes së interesave të letrave me vlerë gjatë vitit të shkuar, gjë që nxiti edhe shumë individë të tërhiqnin depozitat bankare për t’i investuar kursimet në bono thesari, por e kanë bërë këtë gjatë këtij viti.

Aktualisht, në treg numërohen tre banka tregtare që ofrojnë depozita njëvjeçare me norme interesi 3% në lek, ndërkohë që nuk mungojnë as paketat ku propozojnë norma mbi 4% për vitin e parë. Risi për këtë verë është edhe rritja e normave të depozitave në euro, të cilat kanë qenë vazhdimisht edhe më të ulëta se ato në lek.

Të paktën dy banka tregtare ofrojnë norma interesi 2.5% për depozitat në euro më afat 12 mujor. Norma kaq të larta depozitash nënkuptojnë se veçanërisht individët do ta shohin me më pak interes tregun e letrave me vlerë të qeverisë.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat