Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2023, 14:06

Sa është fatura e humbjeve nga euro për eksportuesit? - Goditja po prek vendet e punës dhe rritjen e pagave

Nga SCAN TV
Sa është fatura e humbjeve nga euro për eksportuesit? - Goditja

Zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës europiane kundrejt lekut ka sjellë humbje të mëdha për bizneset eksportuese në vendin tonë dhe kryesisht ata që funksionojnë me kontrata porosie ku çmimet janë paracaktuar. Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht nga ana e eksportueseve ku është kërkuar ndërhyrje nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë. Por sa është fatura e humbjeve të eksportuesve deri më tani?

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga shoqata “ProExport Albania” për SCAN TV, rezulton se për vetëm për industrinë e veshjeve dhe këpucëve e cila mban peshën kryesore humbjet nga kursi i këmbimit nga muaji Janar deri Maj 2023 llogariten rreth 11 milionë euro, ndërsa pritshmëria është që për muajin Qershor të jenë dhe 3 milion euro të tjera humbje.

Ndërsa sa i takon eksporteve ushqimore dhe blegtorale,  Shoqata e Eksportuese shprehet se nëse totali i eksporteve është 500 milionë euro,  luhatjet në kursin e këmbimit, kanë sjellë 10 për qind më pak të ardhura, apo rreth 50 milionë euro. “Në terma fitimi ,po humbasim 100% te fitimit neto.

Ose ndryshe humbja që po ndodh është njësoj sikur tatim-fitimi për eksportuesit të ketë kaluar nga 15% sa e kane te gjithë,  në  90-95%.”, shprehet Alban Zusi, Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.  Sipas eksportuesve, kjo situatë ka prodhuar efekte negative dhe kompanitë kanë filluar të mos bëjnë investime, kanë pezulluar rritjen e pagave, dhe kanë reduktuar shitjet, veçanërisht ato me pagesa me afat te gjatë.

Ndërkohë së fundmi për të lehtësuar eksportuesit, qeveria ka vendosur që tatimpaguesit eksportues, të cilët në vitin 2022 kanë eksportuar jo më pak se 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, nuk  do të paguajnë këstet që parapaguhen në muajt qershor, shtator dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe do të reduktohen afatet për rimbursimin e TVSH-së. Por sipas kompanive, kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur situatën.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat