Europa Postuar më 15 Gusht 2023, 10:50

Rritje rekord pagash në Britani - Banka Qendrore, në gjendje alarmi

Nga SCAN TV
Rritje rekord pagash në Britani - Banka Qendrore, në gjendje alarmi

Pagat bazë në Britani u rritën për të arritur një normë të re rekord, treguan shifrat të martën, duke shtuar shqetësimet për Bankën e Anglisë për presionet afatgjata të inflacionit edhe pas 14 rritjeve të njëpasnjëshme të normave të interesit.

Të dhënat zyrtare treguan disa shenja të reja ftohjeje në tregun e punës me normën e papunësisë që u rrit papritur në 4.2% nga 4%, më e larta që nga tre muajt deri në tetor 2021.

Por rritja e fitimeve bazë - më e forta e të dhënave që nga viti 2001 - përfaqësoi një shtysë të mëtejshme për shkallën e lartë të inflacionit të Britanisë me shumë punëdhënës që iu drejtuan ofertave të rritjes së pagave për të mbajtur ose tërhequr staf.

Rritja vjetore e pagave duke përfshirë bonuset gjithashtu u përshpejtua, duke arritur në 8.2%, më e shpejta jashtë periudhës së pandemisë së koronavirusit, kur subvencionet e qeverisë ‘shtrembëruan’ të dhënat.

Rritja e pagave duket se do të kapërcejë normën e inflacionit të çmimeve të konsumit, i cili parashikohet të jetë ngadalësuar në 6.8% në korrik në të dhënat që do të publikohen nga Zyra Komnbëtare e Statistikave të mërkurën.

Guvernatori Andrew Bailey tha në fillim të këtij muaji se norma e rritjes së pagave ishte materialisht mbi parashikimet e bankës qendrore, por Banka e Anglisë gjithashtu sinjalizoi se po i afrohej ndalimit të rritjes së normave të interesit.

Bailey dhe kolegët e tij mund të ngushëllohen nga sinjalet e një ftohjeje në tregun e punës përtej të dhënave për pagën, si dhe rritja befasuese e shkallës së papunësisë. Numri i të punësuarve ra me 66 mijë dhe vendet e lira të punës zgjeruan rënien e tyre në nivelin më të ulët që nga mesi i vitit 2021, duke rënë gjithashtu me 66 mijë në tremujor në 1.02 milionë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat