Shqipëria Postuar më 20 Korrik 2024, 12:30

Rritet përpunimi i mallrave në portin e Durrësit - 21% më shumë njësi konteinerike u përpunuan në gjysmën e parë të vitit

Nga SCAN TV
Rritet përpunimi i mallrave në portin e Durrësit - 21% më

Dorian Koça/ SCAN

Rritet volumi i përpunimit të mallrave në Portin detar të Durrësit. Në gjysmën e parë të vitit u përpunuan 21% më shumë njësi konteinerike krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifra është bërë e ditur nga Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Porti i Durrësit mban peshën më të madhe për përpunimin e mallrave në vend, me rreth 99% të totalit.

Pritet që së shpejti të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në zonën e Porto Romanos, i cili pritet të ofrojë shërbime dy porteve të thata, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përveçse Shqipërisë.

Porti i ri në Porto Romano do të krijojë një hapësirë logjistike, që do të shërbejë si qendër për rritjen e mëtejshme ekonomike për zonën Tiranë – Durrës dhe trajtimin e ngarkesave tranzit në port.

Ndërkohë, rreth një muaj më parë, Këshilli i Ministrave autorizoi Autoritetin Portual Durrës për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me subjektin ndërkombëtar “Royal Haskoning DHV”. Sipas vendimit të qeverisë, negocimi do të kryhet për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto Romano.

Porti i ri tregtar në Porto Romano do të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit, dhe jo me financim të huaj sikurse parashikohej në ligjin fillestar të buxhetit 2024. Përmes Aktit Normativ të miratuar në muajin shkurt, për këtë vepër portuale u akorduan 9.88 mld lekë.

Po ashtu, u parashikua mbështetje buxhetore me 14.7 mld lekë për vitet buxhetore 2025 dhe 2026. Në buxhetin fillestar financimi ishte parashikuar në vlerën e 50 mln lekëve, ndërsa 8.66 mld lekë të tjera parashikohej të siguroheshin nga financimi i huaj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat