Shqipëria Postuar më 10 Janar 2024, 13:04

Rriten tarifat e ujit të pijshëm për Vlorën - Vendimi i ERRU/Ndryshimet për klientët familjarë, publikë dhe bizneset

Nga SCAN TV

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar tarifat e reja, që do aplikojë shoqëria e Ujësjellës Kanalizime Vlorë për abonentët e saj, duke nisur nga data 1 shkurt e këtij viti.  Sipas vendimit, familjarët do të paguajnë 60 lekë/m³ për shërbimin e furnizimit me ujë, nga 45 lekë/m³ që ishte aktualisht.

Ndërkohë që, për klientët publikë dhe ata privatë tarifa do të jetë 120 lekë/m³, nga 100 lekë/m³ që ishte deri më tani. Për këtë kategori abonentësh, ujësjellësi i Vlorës kërkoi që të rriteshin në 133 lekë/m³.

Ndërkaq, rritje kanë pësuar edhe tarifat për shërbimin e largimit të ujrave të ndotur. Për familjarët çmimi që do aplikohet do jetë 17 lekë/m³, nga 15 lekë/m³ që ishte, ndërsa për klientët publikë dhe privatë tarifa shkon në 28 lekë/m³, nga 25 lekë/m³ që aplikohej deri më tani. Rritja është aplikuar edhe për tarifën fikse, duke shkuar në 200 lekë/muaj për abonenët familjarë dhe 400 lekë/muaj për publikët dhe privatët.

Paralelisht, me rritjen e tarifave ERRU ka përcaktuar dhe treguesit e performancës për vitin 2024, duke nisur nga mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë e kanalizime, uji pa të ardhura, niveli i matjes, vazhdimësia e furnizimit me ujë, norma e arkëtimit, etj.

Ndërkaq, Enti Rregullator i Ujit është duke shqyrtuar aplikimet e 3 shoqërive rajonale për ndryshim tarifash, teksa vendimi do merret në muajt në vijim. Bëhet fjalë për shoqëritë e rajonit të Durrësit, Fierit dhe Lezhës, që përfshijnë një total prej 12 qytetesh pas reformës së bashkimit të ujësjellësve.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat